Kushtetuesja e Malit të Zi në Tiranë
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi kanë zhvilluar takime të rëndësishme në Tiranë. Gjatë vizitës u zhvillua seminari me temë: "Subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese". Seminari u fokusua sidomos në vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese nga subjekte politike dhe nevojën e rritjes dhe përsosjes së gjykimit kushtetues. Vizita ishte e rëndësishme dhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal. "Jurisprudenca kushtetuese bëhet përherë e më ndërkombëtare - tha në fjalën e tij Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dr.Vladimir Kristo. Kjo, por dhe objektivat e njëjta që ka Shqipëria dhe Mali i Zi për të qenë pjesë e Evropës së bashkuar, e bëjnë bashkëpunimin mes Gjykatave Kushtetuese pjesë të rëndësishme që ndihmon sidomos në përqasjen e legjislacioneve me standardet e BE-së". Delegacioni malazez u prit në takime zyrtare nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Vizita u mbështet nga fondacioni "Hans Siedel".