Ekzekutohet në kazino, ish-polici i FNSH
Dashamir Biçaku
Ekzekutohet pas sherrit për paratë e humbura në kazino, ish- efektivi i Forcave Speciale të policisë. Muharrem Lita, 45 vjeç banues në Bathore të Kamzës, ish-oficer policie, mbeti i vdekur në vend dje në mbrëmje, në një kazino pranë stacionit të Trenit. Vdekja e ish-policit është shkaktuar nga një plumb i vetëm. Pak çaste pas ngjarjes, në polici është vetëdorëzuar, Kastriot Stojani, efektivi i forcave speciale, nga arma e të cilit mendohet se është kryer qitja e pavullnetshme, që ka lënë të vdekur Muharrem Litën. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00, kur 45-vjeçari Lita ka qenë duke luajtur në makinat elektronike të lojërave të fatit, ku kishte humbur një sasi të konsiderueshme parash, rreth 3 milionë lekë të vjetra javën e fundit. Mësohet se prej disa ditësh, ish-polici Lita, kishte humbur një sasi parash dhe dje, edhe pse kishte shpresa të rikuperonte humbjen, përsëri ka humbur një shumë prej 80 mijë lekësh të reja. Kur ka humbur të gjitha paratë, ish-efektivi i policisë ka nisur të grindet me punonjësit e kazinosë dhe ka nisur të godasë e të thyejë makinat elektronike. Punonjësit e kazinosë kanë lajmëruar menjëherë personat e punësuar për të kryer ruajtjen fizike të objektit, të cilët ishin punonjës policie. Mes tyre ka qenë edhe Kastriot Stojani, i cili gjithashtu, punonte si efektiv policie pranë repartit të forcave speciale RENEA. Bashkë me të në kazino kanë mbërritur edhe dy kolegë të tij për ta shoqëruar policin special. Menjëherë pasi tre policët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ata kanë kërkuar të flasin me Muharrem Litën. Ai njihej me tre personat, ndërkohë që kishte hyrë në një lokal aty pranë. Tre policët e repartit special kanë biseduar me viktimën dhe i kanë premtuar se do t'i ktheheshin lekët, që kishte humbur në kazino. Sipas burimeve zyrtare, makinat e lojërave të fatit kanë qenë të thyera, por gjithsesi tre oficerët e policisë janë munduar të qetësojnë situatën. Në kohën që tre të ndaluarit po mundoheshin të qetësonin gjakrat, në gjaknxehtësi e sipër, sipas dëshmitarëve, Muharrem Lita ka nxjerrë armën për të qëlluar në drejtim të oficerit Kastriot Stojani. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, thanë mbrëmë se midis ish-policit Lita dhe efektivit të policisë ka pasur një përplasje fizike. Në grindje e sipër mësohet se arma e oficerit Kastriot Lita ka bërë shkrepje të pavullnetshme si pasojë e të cilës viktima është qëlluar nga një plumb i vetëm. Plumbi që i ka depërtuar kokën i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme 45-vjeçarit Muharrem Lita. Mësohet se kishte kërkuar të rifutej në radhët e policisë prej nga ishte larguar pak vite më parë. Menjëherë pas ngjarjes, efektivi i policisë që bëri shkrepjen e pavullnetshme është munduar t'i japë ndihmën e parë të plagosurit rëndë, por ai nuk ka mundur të mbijetojë në spital ku gjeti vdekjen. Vetë efektivi i RENEA-s, nuk ka pritur ta arrestojnë, por është vetëdorëzuar tek kolegët e tij pa u larguar nga vendi i ngjarjes. Bashkë me të në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, janë shoqëruar edhe dy miqtë e tij që e shoqëronin, oficerët me iniciale A.K., dhe P.K. Hetuesit kanë shoqëruar gjithashtu, së paku 10 persona në cilësinë e dëshmitarëve të ngjarjes, të cilët janë pyetur për rrethanat e krimit, ndërsa oficeri i arrestuar pranoi se arma e tij kishte bërë shkrepje të pavullnetshme.
"Shkak i vrasjes, humbja e parave"
Paraprakisht policia ka konkluduar, se shkak për ngjarjen e djeshme, ka shërbyer humbja e parave nga ish-efektivi i policisë. Madje, sipas burimeve hetimore, dyshohet se ai ka tentuar të qëllojë ndaj ish-kolegëve të tij që shkruan në vendin e ngjarjes pasi kryenin roje pranë kazinosë jashtë orarit të shërbimit zyrtar. Dëshmitë e personave të marrë në ambientet e policisë, ku janë pyetur, pritet të zbardhin saktësisht ngjarjen e mbrëmjes së djeshme.