E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS shtyjnë Kodin në dhjetor

 

BLEDAR HOTI

Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk e përfundon detyrën brenda datës 30 shtator. Ky ka qenë konkluzioni i bërë nga ana e bashkëkryetarit socialist, Fatmir Xhafaj, në lidhje me afatin e vendosur për Reformën Zgjedhore. Kuvendit i nevojitet që brenda javës së ardhshme të marrë një vendim për shtyrjen e mandatit të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. "Kodi Zgjedhor nuk mund të përfundojë brenda 30 shtatorit", që është dhe afati i përcaktuar në vendimin e Kuvendit. Data 30 shtator nuk mund të jetë data e përfundimit të Reformës Zgjedhore. Ne bëmë të gjitha përpjekjet. Është bërë një punë e konsiderueshme nga grupi i ekspertëve, komisioni ka kaluar mbi 60-70 nene dhe kjo është shumë pozitive, pasi është një volum i madh pune", deklaroi Xhafaj pas mbledhjes. Sipas tij, "mos përfundimi në kohë i ligjit zgjedhor nuk është pozitiv dhe kërkon më shumë vullnet dhe impenjim nga të gjitha palët e përfshira në proces, sidomos nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS". Xhafaj bëri të ditur se, "debatet për ta pajtuar Kodin më mirë me frymën e Kushtetutës dhe standardet, si dhe konsultimet me modele dhe kode zgjedhore që aplikohen në sisteme të ngjashme në vendet e tjera, pritet të realizohen në të ardhmen".
Dy ndryshimet
Komisioni ka miratuar me unanimitet çështjen e koalicioneve të përbëra dhe mënyrën e përfaqësimit të grave në Parlament, duke realizuar kuotën prej 30%, sipas ligjit "Për barazi gjinore". Koalicionet e përbëra janë një formë e regjistrimit të subjekteve zgjedhore për të konkurruar në garën elektorale. Pas një debati paraprak për këtë çështje, komisioni vendosi me konsensus të miratojë versionin përfundimtar të paraqitur nga ekspertët e të dyja palëve. Përfaqësuesit e partive të vogla kanë ngritur pretendimin për çështjen e plotësimit të listës me kandidatë në të 12 rajonet e ardhshme zgjedhore. Përfaqësuesi i PR-së, Arjan Madhi, ka kërkuar që numri i listës shumë emërore të lihet në varësi të partive politike, pasi subjektet tentojnë të marrin vota sipas peshës së tyre elektorale. Por një gjë e tillë është kontestuar nga ana e përfaqësuesve të partive të mëdha, duke vendosur se çdo parti politike që konkurron në zgjedhje duhet të paraqitet me listë të plotë shumë emërore. Në nen është sanksionuar se koalicionet e partive politike duhet të regjistrohen pranë KQZ-së 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Ndërsa është sanksionuar se një parti politike pjesëmarrëse në një koalicion, nuk duhet të marrë pjesë në një koalicion tjetër. Ndërsa nuk do të ketë një kandidat të regjistruar në dy zona zgjedhore të ndryshme.

Mënyra e konkurrimit

1. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi 45 ditë përpara zgjedhjeve.
2. Një parti politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë listë shumë emërore.
3. Lista me emrat shumë emërore e kandidatëve për deputetë për çdo zonë zgjedhore depozitohet nga partitë jo më vonë se 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partitë politike pjesëtare të një koalicioni depozitojnë listën shumë emërore të kandidatëve për çdo zonë zgjedhore.
4. Kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumë emërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë në një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni.
5. Për çdo zonë zgjedhore të paktën 30% e listës shumë emërore ose/dhe një në tre emrat e parë të listës duhet t'i përkasë secilës gjini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›