Berisha: Rama humbës në zgjedhje
Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar dje sërish nga Shkodra kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, duke thënë se kundërshtari i tij e ka të sigurt humbjen e zgjedhjeve të ardhshme, që do të mbahen në vitin 2009. Duke folur gjatë turit të tij të inaugurimeve kreu i qeverisë tha se "kryetari i PS është në ethe të tmerrshme dhe dua t'i them se nuk ka gjë që t'ia ulë temperaturën atij. Kjo sepse është i sigurt se do t'i humbasë zgjedhjet. Ne do të vazhdojmë me realizimin e premtimeve tona, me asfaltimin e rrugëve, me ujësjellësit. Dhe kur të vijnë zgjedhjet, do të votojmë si njerëz të lirë". Në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", Berisha inauguroi dje 93 km kanale parësore dhe dytësore, një investim i cili i shërben 15400 ha tokë për zonat Trush dhe Bushat, rrugën Beltoj-Mali Hebaj-Berdisë e Madhe, rrugë e standardeve më të mira me dy korsi, fillimin e punimeve të rrugës në fshatin Trush, me vlerë 9 milion lekë, shkollën 9-vjeçare të Trushit me vlerë 56 milion lekë si dhe dy urat në hyrje të Velipojës. Në fjalën e tij para banorëve të këtyre zonave Berisha tha se, qeveria e tij po mban premtimet për investimet në infrastrukturë dhe në sistemin arsimor.