E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Rama më priti para publikimit të videos. Meta kerkon te me vrase

19/01/2011  Ish-ministri flet për pazaret e Metës kundër Berishës

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti deklaroi dje se kishte pasur oferta nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, para publikimit të videos ku përgjon Metën. Gjatë një konference për mediat, ish-ministri i Ekonomisë bëri publike disa të dhëna të reja për marrëdhëniet Meta-Rama dhe Meta-Berisha, ku i bën thirrje Kryeministrit të prishë marrëveshjen e koalicionit me LSI-në. “Me Edi Ramën jam takuar një herë pasi jam larguar nga LSI-ja, në prani të Gramoz Ruçit dhe dy deputetëve të tjerë të PS-së. Unë jam në opozitë dhe unë nuk mund të shmang bashkëpunimin me partinë më të madhe të opozitës. Deri tani nuk ka marrëveshje dhe as vendim. Kam para meje disa variante. Kam variantin e vajtjes në PS, kam atë të krijimit të një force politike opozitare dhe variantin e tretë të lë këtë politikë të qelbur e të shoh punët e mia”, u shpreh Prifti. Për sa i takon ish-zv/kryeministrit, ai konfirmoi se gjatë takimeve me Ilir Metën ka marrë vesh që mes tyre ka pasur marrëveshje që ai të bëhej kryeministër dhe që votat të bashkoheshin me PS-në. “Meta ma ka konfirmuar se ka qenë pjesë e këtij skenari. Ai ndryshoi skenar, pasi nuk ishte i sigurt për votën time dhe votën e zotit Idrizi dhe ndonjë tjetri”, deklaroi i larguari i LSI-së. Referuar disa komunikimeve mes Edi Ramës me Ilir Metën, ku Berisha quhej “njeri i Dragobisë”, Prifti paraqiti njërën prej tyre, të cilën e kishte në celularin e tij. “SMS që Meta ia dërgon Ramës përmes një personi që punon tek kullat binjake, se nuk komunikojnë direkt, por përmes korrierit. Meta shkruan: ‘Vëlla, si e degjenerova Tan Priftin, do t’i degjeneroj të gjithë. Nga Dragobia po zhgënjehem shumë. Sot bëra live strategjinë time dhe kush ka veshë dëgjon’”, citoi ish-ministri. Në këtë kontekst, ai i bëri thirrje Kryeministrit Berisha të vendosë interesat e vendit mbi interesat e qëndrimit në pushtet, duke prishur sa më shpejt koalicionin me LSI-në. “Mjaftojnë denoncimet e mia për të kuptuar se kjo parti po mban në pushtet PD-në vetëm për të vjedhur. Meta bën presion ndaj Berishës vetëm me ato tre vota në Parlament dhe, nëse nuk do ishte kjo, Berisha do mbante qëndrim tjetër. Meta kërkon të bëjë pazare e të vjedhë për të blerë vota në zgjedhje”, nënvizoi Prifti. Por ky i fundit i kërkoi gjithashtu drejtësisë të

bëjë sa më parë transparencën lidhur me përgjimin. “Drejtësia duhet t’i thotë gjërat si janë. Nëse ajo do t’i zvarrisë gjërat, do t’i mbulojë ato, atëherë mua s’më mbetet motiv të vazhdoj të denoncoj, të nxjerr fakte të reja dhe video të reja. Edhe unë jam njeri familjar, kam katër fëmijë”, u shpreh Prifti. Ai mohoi t’i kishte bërë shantazh Metës me videon. “Absolutisht jo! Ia kam treguar brendinë e videos Metës disa herë, por në asnjë rast se kam përdorur për t’i bërë shantazh atij për të bashkëpunuar me Edi Ramën apo me ndonjë tjetër”, përfundoi deputeti i pavarur.

Ish-ministri garanton paprekshmërinë e videos

Prifti: Dosje të re në prokurori për Metën

Fakte të reja mbi abuzimet e ish-ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta pritet të dalin në dritë në ditët në vijim. Ish-ministri i LSI-së, Dritan Prifti, deklaroi dje se do të njoftojë prokurorinë me shkelje të reja të ish-numrit dy të qeverisë. “Po përgatitem të shkoj në prokurori këto ditë me një dosje të re për Ilir Metën, duke denoncuar vjedhjet dhe abuzimet e tij vetëm në tre muaj si ministër Ekonomie. Do të denoncoj dhe pasuritë e tij të fshehura në emra ortakësh e firmash që shpërndahen në gjithë Shqipërinë, por edhe jashtë saj”, deklaroi Prifti. Lidhur me pretendimet e Metës dhe të mazhorancës se videoja është një montazh, ai tha se është vetëm justifikim. “Nuk guxojnë të përballen me të vërtetën që Meta bën korrupsion duke ofruar 700 mijë euro dhe 7 %, apo që kërkon të anulohet një ankand për naftë që t’i jepet mikut të tij. Garantoj se videoja është e paprekur dhe unë mbaj përgjegjësi penale, morale dhe politike. Loja e montazhit bëhet vetëm për të fituar kohë për të blerë media dhe drejtësinë. Videoja ka në figurë një shirit që tregon orën dhe sekondat. Mjafton të ndjekësh treguesin e sekondave nga fillimi në fund, për të kuptuar që filmi është i paprekur”, u shpreh Prifti, duke sqaruar se e kishte dorëzuar të plotë tek “Fiks Fare”. Lidhur me justifikimet e Metës për 7 %, ai deklaron se disponon kopjet origjinale. “Zoti Meta paska thënë se 7 % është një 6.6 % që kompania kishte dorëzuar në QKR. Ai 7 % e ofron me zë dhe figurë mjaft pastër dhe nuk ka njeri që e beson këtë. Ka nxjerrë një dokument, ku thuhet se unë kam bërë një shënim në një memo. I them zotit Meta se po të ishte i mençur sa gjysma ime, do të mund të mbrohej. Unë kam kopjet e mia, dhe nëse ai bën falsifikim dokumentesh, do të përballet me drejtësinë edhe për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, deklaroi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›