Qeveria “Papandreu” betohet para Presidentit
Qeveria e re greke, e drejtuar nga kryeministri Jorgo Papandreu është betuar para presidentit Karolos Papulias në një ceremoni fetare. Papandreu nisi punën që dje pas betimit në Presidencë me premtimin për të modernizuar dhe pastruar sektorin publik. “Objektivi ynë kryesor është rigjallërimi i prestigjit të institucioneve, të luftojmë kundër favorizimit dhe korrupsionit dhe të përmirësojmë efektivitetin e sektorit publik”, tha Papandreu pas takimit të parë të kabinetit të tij, duke shtuar se “Mandati ynë është të përmbysim mungesën e transparencës dhe korrupsionin që ka arritur në një nivel pandemie”, tha kryeministri i ri i Greqisë duke iu referuar skandaleve të korrupsionit të qeverisë së mëparshme të Karamanlisit. Qeveria e re u formua vetëm një ditë më parë, pasi të hënën u konfirmua në mënyrë zyrtare pas përfundimit të numërimit të 100 për qind të votave, fitorja e socialistëve të PASOK. Emrat e rinj në qeveri, teknokratë të ekonomisë, janë bashkëpunëtorët e Papandreut, në postet e ekonomisë dhe financave për të përmbushur premtimin e nxjerrjes së Greqisë nga recesioni. Papandreu krijoi katër ministri të reja: ambientin-energjinë dhe ndryshimet klimatike, financat dhe infrastrukturën, policinë dhe mbrojtjen civile. Ministria e mbrojtjes civile ka të bëjë me përmirësimin e politikës së parandalimit të zjarreve, pas dy rasteve masive gjatë dy viteve të fundit që shkatërruan ambientin dhe ekologjinë greke dhe shkaktuan shumë viktima. Sfida e parë e qeverisë do të jetë projektbuxheti 2010, i cili pritet të miratohet në nëntor si dhe përpjekja për të bindur Brukselin që t’i japë Greqisë më shumë kohë të ulë deficitin nga 6 për qind në 2009-ën në 3 për qind, limiti për eurozonën. Ministrja e re e Ekonomisë pas betimit u shpreh se do të diskutohet me KE programi i stabilitetit dhe buxhetit. Sipas analistëve, 100 ditët e para të qeverisë do të jenë vendimtare për të sjellë ndryshimet e mëdha, me marrjen e vendimeve të vështira dhe riformimin e ekonomisë.