Librazhd, përplasen makinat, vdes 39-vjeçarja
LIBRAZHD – Humb jetën në një aksident të rëndë të ndodhur dje në rrugën Elbasan-Librazhd një 39-vjeçare. Gruaja udhëtonte bashkë me dy të tjerë në një makinë me targë të Korçës, kur në afërsi të Qukësit, mjeti i tyre u përplas fatalisht me një tjetër që mbante targa angleze. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 dhe gjendja shëndetësore e tre të plagosurve sipas mjekëve të Librazhdit është kritike. Viktima, Çiljeta Dhimitri ishte pasagjere e makinës me targë KO 98 98 B, drejtuar nga Gjergji Rahizi, ku ndodhej dhe e bija e drejtuesit, 15 vjeçe. Ndërsa në makinën tjetër fuoristradë, “Land Rover” me targa të huaja ndodhej vetëm drejtuesi i saj, Altin Karriqi. Nga verifikimet e para rezulton se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë dhe tentativës së gabuar për një parakalim në rrugën nacionale. Mësohet se në aksin ku ndodhi aksidenti tragjik nuk ka pasur shërbime të policisë, pasi rrugorët, bashkë me punonjës të Policisë së Rendit ishin me shërbim në stadiumin e Librazhdit, ku luhej derbi Sopoti-Elbasani. Tre të plagosurit ndodhen në spitalin e Librazhdit, ndërsa për viktimën nuk është mundur të bëhej asgjë, për shkak se ajo kishte ndërruar jetë. a.k