E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, prokurori: Të tjera fletë-arreste për korrupsion

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

“Luftë pa asnjë kompromis korrupsionit”. Elvin Gokaj, kreu i Prokurorisë së Elbasanit pohon se, pas arrestimit të nënkryetarit të Këshillit Bashkiak tre ditë më parë, Kujtim Hazbiu, të tjera arrestime do të ketë në administratën shtetërore, si dhe në institucione publike. Sipas tij, prej më shumë se 1 viti, Prokuroria e Elbasanit po vlerëson çdo informacion që merr në lidhje me çështjen e korrupsionit. “Gjatë një viti në Prokurorinë e rrethit ka pasur me dhjetëra qytetarë që kanë denoncuar raste abuzive, por ata janë tërhequr më pas për shkaqe të paqarta që kanë çuar në dështimin e hetimeve për rastet për shpërdorim detyre dhe korrupsion”, pohoi Gokaj. Sipas kryeprokurorit të Elbasanit, organi i akuzës që ai drejton nuk do të tolerojë asnjë rast që ka të bëjë me çështjen e korrupsionit dhe nuk do të tolerojë askënd që përdor detyrën për të siguruar përfitime ekonomike. Sipas prokurorit Gokaj, rasti i nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, i arrestuar tre ditë më parë, do të shoqërohet me të tjera arrestime, këto ndoshta gjatë muajit të ardhshëm. Gokaj shprehet se ka ardhur koha kur abuzuesit në institucionet shtetërore duhet të marrin ndëshkimin që meritojnë pasi vetëm kështu qytetarët mund të kërkojnë zgjidhjen e problemeve sa më lirisht dhe sipas ligjit. Megjithatë, prokurori Gokaj shpreh shqetësimin e tij në lidhje me mungesën e bashkëpunimit me Gjykatën e Elbasanit. Sipas tij, nëse ky bashkëpunim do të ishte edhe më i fuqishëm atëherë fenomeni i korrupsionit do të luftohej edhe më mirë, duke pastruar administratën shtetërore nga personat që shkelin ligjin dhe abuzojnë me të. Mospërputhja e masave të arrestit e veprime të tjera gjatë procesit duket se kanë vënë në dilemë marrëdhënien mes dy institucioneve. Nga ana tjetër, ai ka pohuar marrëdhënien e ngushtë me Policinë e Elbasanit. Kjo ka bërë, sipas Gokajt, që një sërë dosjesh të kësaj fushe të zbardhen plotësisht, duke përmendur këtu dhe bashkëpunimin me institucionet ku janë konstatuar abuzimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›