Sulmi me acid u regjistrua me kamera
Policia thotë se ish- i fejuari i të dëmtuarës është jashtë vendit prej disa ditësh dhe dyshohet të ketë shtyrë dikë tjetër për këtë veprim
Personi që i hodhi lëndë djegëse vajzës 21- vjeçare duket qartë në pamjet filmike por nuk njihet nga policia
TIRANE- Kamerat e një banke dhe të një qendre lojërash fati regjistruan dy ditë më parë, sulmin me acid ndaj një vajze 21- vjeçare, ndërsa policia ende nuk ka mundur të identifikojë autorin, pavarësisht dyshimeve të para të policisë mbi bashkëshortin e saj. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Policisë së kryeqytetit, sipas të cilëve sulmi ndaj 2-1veçares Erka. V, është regjistruar nga kamerat e sigurisë të dy subjekteve private të cilat janë administruar nga ekspertët dhe hetuesit e policisë në cilësinë e provave materiale.
Pamjet e administruara nga kamerat e sigurisë, sipas burimeve, mësohet se janë vëzhguar dhe këqyrur me kujdes nga hetuesit për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të krimit. Burimet pohuan se nga pamjet e ofruara, autori i krimit shihet mjaft qartë dhe ai duket plotësisht i identifikueshëm, por se ende nuk njihet nga oficerët e policisë.
Në të kundërt, në lidhje me ngjarjen, policia ka verifikuar edhe të dhënat e ish- të fejuarit të të dëmtuarës, të cilët ishin ndarë disa javë më parë. Nga verifikimi në sistemin online të Policisë TIMS, është zbuluar se ai ishte larguar jashtë vendit prej disa ditësh dhe ndodhej në Greqi. Kështu së paku tregonte sistemi në lidhje me udhëtimin e fundit të kryer prej tij nga Shqipëria. Ndërkaq, fillimisht e dëmtuara ka dyshuar se një veprim të tillë mund ta kishte bërë ish- i fejuari i saj, por verifikimi i kryer ka hedhur poshtë të gjitha dyshimet e policisë.
Ndërkaq kur të dëmtuarës i janë ofruar pamjet filmike për të riparë edhe një herë skenën e krimit ndaj saj ka pohuar se nuk e njihte autorin e krimit. Gjithsesi për të identifikuar të dyshuarin, policia ka nisur verifikimet e të gjithë të afërmëve të njeriut me të cilin Erka V, kishte qenë e fejuar. Ndërkaq ai është shpallur në kërkim nga policia deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së të enjtes në mëngjes e ndodhur në bulevardin "Zogu i Parë", pranë maternitetit të vjetër. Policia dyshon se vajza është sulmuar nga personi i paidentifikuar me acid pikërisht për llogari të ish- të fejuarit të saj që ka kërkuar të hakmerret pas ndarjes.
Ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes, kur e dëmtuara sapo kishte dalë nga shtëpia ndërsa një person i hodhi acidin. Pas ngjarjes ajo u dërgua në spitalin civil në pavionin e djegieve ku i është nënshtruar ndërhyrjes së mjekëve. Sipas tyre, dëmtimet ishin serioze për shkak se kishin prekur pjesën e fytyrës dhe të qafës.