Prifti: Çmimi i energjisë përcaktohet nga ERE
Çmimi i energjisë elektrike përcaktohet nga një autoritet i posaçëm, që është Enti Rregullatori i Energjisë dhe jo nga qeveria. Kjo ka qenë përgjigjja që i ka bërë ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, shqetësimit të kreut të PS-së, Edi Rama, për rritjen e çmimit të energjisë që po shqyrtohet nga ERE. Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Dritan Prifti, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se personi të cilit një ditë më parë komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, z. Olli Rehn, i ka thënë se me bojkotin që po i bën Parlamentit po pengon integrimin e Shqipërisë, z. Edi Rama, ka bërë komente gjatë një tryeze të organizuar ku ka goditur privatizimin e OSSH-së si dhe ka përbaltur procesin e importit të energjisë elektrike, duke e quajtur monopol në duar të një familjeje apo të një grupi njerëzish rreth tij. Ministri Prifti u shpreh se lidhur me procesin e privatizimit të kompanisë OSSH ka qenë edhe vetë kritik më parë, për shkak të mungesës së informacionit, por tashmë, që ai zotëron të gjithë informacionin e nevojshëm, z. Prifti e vlerëson këtë privatizim si më të suksesshmin të qeverisë shqiptare. “Kompania çeke CEZ, e cila bleu OSSH-në, është një kompani prestigjioze. Këtë kontratë privatizimi e kanë mbështetur edhe institucione ndërkombëtare, si BB, qeveria amerikane nëpërmjet USAID-it dhe IFC”, - theksoi ai. “Menaxhimi i mirë i kësaj kompanie solli si rezultat uljen e humbjeve me rreth 3% në rrjet, ndërkohë që është rritur ndjeshëm edhe vlera e arkëtimeve”, - vlerësoi z. Prifti. Ministri sqaroi se CEZ ka kryer rreth 60 milionë euro investime në të gjithë vendin, investim ky që ka një pritshmëri trevjeçare për kthimin e investimit, ndërkohë që ky privatizim, përveçse ka bërë të mundur eliminimin e një shpenzimi shtetëror rreth 60 milionë euro, ka krijuar edhe një fitim vjetor afërsisht 30-40 milionë euro kundrejt taksave dhe tatimeve që i paguan shtetit shqiptar. “Gjithashtu, importi i energjisë elektrike sot realizohet nga kompania CEZ, e cila importon rreth 2.5 milionë kWh energji elektrike në bazë të kontratës së nënshkruar për furnizimin e konsumatorëve shqiptarë, si edhe deri në fund të vitit 2010 të gjithë konsumatorët shqiptarë do të pajisen me matës, gjë të cilën e ka premtuar drejtori i OSSH-së gjatë një takimi të djeshëm”, - theksoi ai, duke mos anashkaluar këtu edhe investimet në përmirësimin e rrjetit të furnizimit me energji elektrike. Ministri Prifti vlerësoi se z. Rama nuk ka informacion apo ekspertë pranë vetes për të marrë informacionin e duhur lidhur me këtë çështje, ndërkohë që për rritjen e çmimit të energjisë apo për uljen e tij, Prifti u shpreh se do të jetë ERE institucioni i pavarur që do të vendosë nëse do të rritet dhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike. Dhe për këtë, nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, qeveria shqiptare ka caktuar si kontigjencë në buxhetin e shtetit për vitin 2010, 2 miliardë lekë si subvencion për familjet në nevojë për të kompensuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Prandaj, ministri Prifti ftoi zotin Rama të tërhiqet nga pozicioni i tij anarkist dhe destruktiv, pasi, sipas tij, është bërë shumë dhe po bëhet akoma më shumë, çka është vizive dhe të matshme.
Rama: Rritja e çmimit të energjisë, kosto për shqiptarët
Partia Socialiste zhvilloi dje një tryezë të hapur me ekspertë të fushës së energjisë, duke vënë në vëmendje të saj koston e lartë që u kushton shqiptarëve ky produkt konsumi, me tarifat e reja që pritet të aplikohen së afërmi. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike shton ndjeshëm koston e jetesës për familjet shqiptare. Rama vuri theksin në shumë probleme të tjera që ka sot sektori i energjisë elektrike. “Kur do të përfundojë faturimi afrofe? Kur do të instalohen të gjithë matësit e energjisë elektrike? Kur do të largohet nga jeta e qytetarit shqiptar faturuesi i fundit abuziv? Kur do të mbarojnë humbjet joteknike në sistemin energjitik shqiptar? Banka e Shqipërisë raporton se në 8 muajt e parë të vitit humbjet janë më të larta se një vit më parë. Kur do të rriten kapacitetet transmetuese të importimit të energjisë elektrike?”, - tha Rama. Kreu i PS-së tha se shpërndarja e energjisë elektrike i është besuar një kompanie private, e cila në prill 2009 u zgjodh nga qeveria shqiptare për të privatizuar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. “Ky privatizim u trumbetua si i suksesshëm nga qeveria shqiptare. Por, me sa duket qartë, tanimë, suksesin qeveria e pa vetëm tek miliona eurot që arkëtoi në prag të zgjedhjeve”, - tha Rama.