Dritan Dajtit i bie të fikët në qeli
Fatos MahmutajDritan Dajti, i arrestuar për vrasjen e katër policëve bie në gjendje të fikti në burg. Këtë fakt e bënë publik dje familjarët e tij, ndërsa e konfirmuan pak minuta më vonë edhe autoritet e paraburgimit 302 në Tiranë. Sipas tyre ngjarja ka ndodhur në ambientet e takimeve të të paraburgosurve me familjarët, kur Dajti kishte kaluar momente debulese ndërsa po takonte gruan e tij. Ka qenë ora 13:30 e mesditës së djeshme, kur Dorela, bashkëshortja e Dritan Dajtit ka shkuar për ta takuar të paraburgosurin në qelitë e 302 ku mbahet aktualisht. Autoritetet e burgut, duke u nisur nga fakti se ai nuk mund të lëvizte nga qelia e kanë transportuar me një karrocë nga kati i dytë për në të parin dhe pastaj e kanë dërguar në ambientet e takimeve ku e priste bashkëshortja, e cila i kishte çuar ushqime dhe veshje. Sapo ka mbërritur aty, 40-vjeçari Dajti ka rënë pa ndjenja, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila është mjeke në profesion, ka vënë alarmin duke detyruar stafin mjekësor të burgut që të ndërhynte duke i vënë pambuk me alkool në hundë për ta përmendur. Familjarët e tij i kanë kërkuar më pas ndihmën e Avokatit të Popullit. Pas pak minutash gjendja e Dajtit është përmirësuar, ndërsa stafi policor dhe mjekësor i burgut e kanë rikthyer në qelinë e tij. Burime nga ky burg të kontaktuara dje, pohuan se janë përpjekur, brenda mundësive reale të institucionit, për t’i dhënë Dajtit ndihmën dhe kushtet e duhura mjekësore. Sipas tyre duhet të merret parasysh fakti që Dajti nuk ishte një pacient, por një i paraburgosur me probleme shëndetësore. Ndaj për këtë arsye autoritetet e burgut veç shërbimit normal që i ofronin si çdo i paraburgosur tjetër, atij i ofronin edhe shërbimin ekstra të dhënies së medikamenteve në kohë, ushqimeve, etj, megjithëse sipas tyre, që nga dita që ka mbërritur në këtë institucion Dajti ka refuzuar të ushqehet duke mos pranuar ushqimin e institucionit dhe atë që i dërgojnë familjarët. Po kështu Dajti kishte refuzuar edhe serumet, të rekomanduara nga mjekët e Spitalit të Burgjeve. Të ndodhur përballë këtij fakti autoritetet e paraburgimit, i kishin kërkuar familjarëve të Dajtit të nënshkruanin një deklaratë ku të autorizonin dhënien forcërisht të serumeve të paraburgosurit. Bashkëshortja e Dajtit pohoi dje se pranonte ta nënshkruante këtë deklaratë vetëm nëse mundësohej që ajo të ishte e pranishme në momentin që bashkëshortit do t‘i injektohej serumi. Autoritetet e paraburgimit 302 thanë dje se pas rikthimit në qeli, Dritan Dajti kaloi në kujdesin e mjekut të institucionit, i cili i dha mjekime, ndërsa ishte vendosur që për pak kohë shëndeti i tij do të mbikëqyrej nga ndihmësmjekët e institucionit.