Halili: Duka, një shitës qoftesh në vitet 90-të
ADRIATIK BALLAE cilësuar mbledhje e jashtëzakonshme e Asamblesë së Tiranës, forumi më i lartë drejtues i KF “Tirana” nuk doli dje në një vendim konkret, por hodhi idetë që sot do t’i përpunojë kryesia për të apeluar vendimin e Disiplinës dhe njëkohësisht për të çuar përpara idenë e ndëshkimit në gjykatë të treshes së arbitrave, që sipas Tiranës prishën ndeshjen derbi të së hënës dhe i shkaktuan humbje me paramendim ekipit bardheblu. Por asambleja e djeshme u shndërrua në një tribunë ku mund të zbrazte mllefin çdo përfaqësues, qoftë nga zyrtarët, qoftë nga tifozët ndaj FSHF-së, dhe sidomos kreut të saj Armand Duka. Presidenti Refik Halili, që gjatë javëve të fundit ka shtuar dozën e akuzave ndaj kreut të FSHF-së, shtoi në fjalorin e tij krahasues dhe përshkrues për kreun e Federatës Duka, duke e cilësuar një shitës qoftesh në vitet 90-të dhe një njeri që ka uzurpuar futbollin në Shqipëri. “FSHF është institucion i korruptuar. Kam dokumente për këtë. Duka është i babëzitur, mbi të gjitha një i paftë për të drejtuar institucionin qendror të futbollit. Ai ka zaptuar futbollin dhe shumë media. është një mashtrues. Ju e shihni sot kështu, por në vitet 90-të ka qenë një shitës qoftesh. Tiranës i detyrohet 330 mijë euro, por klubit i ka thënë se janë 140 mijë euro, plus minus 2 mijë. Ku do që t’i çojë paratë e klubit tonë?. çfarë ka bërë me tenderin e ndriçimit të stadiumeve? Thonë që do të bëhen, por unë po ua them se nuk do të ketë ndriçim. Ai është një mashtrues, por ai nuk do të mund të luajë kurrë me Tiranën”, tha Halili, i cili vendimet e Disiplinës së FSHF-së i quajti të turpshme, pasi nuk kanë sens të fortë logjik dhe për më tepër, FSHF-ja ka dënuar pasojën, por nuk ka dënuar shkakun e asaj që ndodhi të hënën në mbrëmje te “Qemal Stafa”. Sipas tij, fajtorët kryesorë të gjithçkaje që ndodhi janë gjyqtarët e ndeshjes, që drejtpërdrejt ndikohen nga Duka. AsamblejaNdërkohë, të gjithë pjesëmarrësit në diskutimet e tyre atakuan FSHF-në dhe kreun e saj Duka si shkaktarë të asaj që ndodhi në “Qemal Stafa”, teksa është lënë për sot marrja e një qëndrimi zyrtar mbi të gjitha problemet e parashtruara, duke u ngarkuar kryesia e klubit për të hartuar një deklaratë me qëndrim zyrtar. Por paraprakisht bëhet fjalë për një qëndrim mospajtues ndaj masave të marra nga Disiplina për dënimet dhe gjobitjet që i janë bërë klubit dhe pjesëtarëve të saj. Pika më e diskutueshme dhe që mori vëmendjen kryesore ishte ajo e zhvillimit të ndeshjeve pa tifozë, që u cilësua provokuese dhe tejet e rëndë. Megjithatë, asambleja nuk doli në një qëndrim zyrtar të shprehur, edhe pse ishte në një mbledhje të jashtëzakonshme. Duke qenë e tillë, asambleja duhej të ishte më radikale në qëndrimet e saj, por me sa kuptohet kryesia e klubit mori një aprovim për të apeluar vendimet e FSHF-së dhe për të shkuar deri atje sa të bëhen protesta në shkallë të gjerë për të ulur masën e dënimit dhe për të lejuar zhvillimin e ndeshjeve me spektatorët në stadium.Trajneri Tafaji: Nuk largohem nga ekipiTirana po mendon që të gjejë një zëvendësues për trajnerin Alban Tafaji, i cili u dënua me një vit pezullim nga Komisioni i Disiplinës sepse goditi me grusht futbollistin Dinamos, Elis Bakaj. “Nuk largohem nga Tirana, do të vazhdoj ta drejtoj unë këtë skuadër edhe nga tribuna”, tha trajneri i bardhebluve për “Panorama Sport”. Ndërkaq, gjatë një deklarate të shkurtër në asamblenë e djeshme, ai u ka kërkuar ndjesë drejtuesve të Tiranës dhe përfaqësuesve të lartë të këtij klubi, për gjestin që bëri në ndeshjen Tirana-Dinamo 1-2.