Avokati i Bares:Dosja të mbyllet si e Andi Tomës
TIRANE – Aldo Bare, i akuzuari i Prokurorisë si kreu i “bandës së Lushnjës”, kërkoi dje pushimin e gjykimit të tij në Gjykatën për Krimet e Rënda. Kërkesa në fjalë u artikulua nga mbrojtësi i Bares në proces, avokati Vladimir Meçi. Sipas avokatit, të gjitha aktet e dosjes, përfshi njoftimin e akuzës për Baren, dërgimin e çështjes në gjyq dhe kërkesa për gjykim duhet të shpallen absolutisht të pavlefshme, pasi janë përpiluar jashtë afateve ligjore të hetimit. “Për rrjedhojë gjykata duhet të pushojë gjykimin e çështjes”, tha avokati. Vetë i pandehurit Bare shfaqi dje dobësi të theksuara shëndetësore në sallën e gjyqit. Pas largimit disa minutash nga qelia e sallës së gjyqit, ai u rikthye vetëm për t’i pohuar gjykatës se nuk ndjehej mirë dhe se nuk mund të qëndronte. Gjykata do të shprehet për kërkesën e mbrojtjes në seancën e radhës, pasi të ketë dëgjuar edhe pretendimet e prokurorëve të çështjes. Gjatë paraqitjes së kërkesës së tij para gjykatës, avokati Meçi relatoi dje në mënyrë kronologjike të çështjes dhe të akuzave në ngarkim të klientit të tij. Duke llogaritur afatin e hetimeve të kryera ndaj Bares nga prokuroria e Lushnjës, Elbasanit dhe ajo e Krimeve të Rënda avokati tha se “afati total i hetimeve është 2 vjet e 6 muaj”. “Kërkojmë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë që të konstatoje pavlefshmërinë absolute të akteve dhe të vendosë më pas edhe pushimin e gjykimit të çështjes”, kërkoi avokati Meçi. Avokati përmendi para gjykatës qëndrimin e mbajtur nga Gjykata e Lartë në 10.04.2009 për pushimin e çështjes ndaj ish të pandehurit të dosjes “Durrës-Kukës” Andi Toma dhe të bashkëpandehurve të tij, për shkak se njoftimi i akuzës dhe dërgimi i çështjes për gjykim ishte bërë jashtë afateve hetimore. Gjithashtu, avokati i Aldo Bares, pretendoi se për akuzat e “Krijimit të organizatës kriminale” dhe të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” është gjykuar një herë nga gjykatat shqiptare dhe për to ai nuk mund të gjykohet sërish. Aldo Bare, akuzohet nga prokuroria për Krimet e Rënda si kryesuesi i organizatës kriminale të quajtur “banda e Lushnjës”. Sipas organit të akuzës, Aldo Bare është autori i një sërë veprash të rënda kriminale të kryera në kuadrin e kësaj bande në periudhën 1997-2000. ar.ba