"Djajtë fitojnë derbin e Mançesterit", Runi heroi
Skuadra e Mançester Junajtid ka fituar dje 3-1 derbin me ekipin e Mançester Sitit, pas një ndeshjeje që dhuroi spektakël nga fillimi deri në fund. Pas fitores së djeshme "djajtë" siguruan një biletë për finalen e "Carling Cup", ku do të përballen me Aston Vilën. Takimin e parë e kishte fituar skuadra e drejtuar nga Roberto Mançini me rezultatin 2-1 dhe ndeshja po shkonte drejt shtesës në sfidën e djeshme, pasi rezultati ishte mbërthyer sërish në shifrat 2-1. Golat për "djajtë e kuq" deri në atë moment i kishte shënuar Pol Skols 52' dhe Kerrik 60' të që të dy, ndërsa Tevez nga ana tjetër kishte shkurtuar diferencën në minutën e 76-të. Ishte minuta e 90-të, kur Uejn Runi, pas një krosimi nga e djathta arriti të mposht portierin e Mançester Sitit dhe ta dërgonte topin në rrjetë. Trajneri i skuadrës së Mançester Sitit, Mançini, ka kontestuar ashpër arbitrin e ndeshjes në fund të takimit, pasi sipas tij para se të shënohej goli i Runit, lojtarët kundërshtarë kishin shkaktuar një faull. Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka për rivalin e tij Ferguson, i cili nuk arriti të përmbahej kur bomberi i tij, Runi, shënoi golin e fitores. Ekipi i Sitit, synonte të shkonte sa më larg në këtë kompeticion, pasi trofeu i Kupës "Carling Cup", ishte një nga objektivat e këtij sezoni.