Prifti raporton situatën hidrike: Liqenet afër nivelit maksimal
TIRANE- Rreshjet e dendura të ditëve të fundit kanë rritur në nivele maksimale kuotat e ujit në liqene duke bërë të detyrueshme hapjen e portave në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Ministri i i Energjetikës, Dritan Prifti deklaron se situata po monitorohet me kujdes për të shmangur përmbytjet. “Kemi filluar të bëjmë disa shkarkime të vullnetshme dhe graduale në Koman për të mos lejuar tejkalimin e nivelit 176 që është maksimali duke mos lejuar efekte përmbytjesh. Dhe në Vaun e Dejës kemi një situatë me një nivel 75.60 metër kur 76 është maksimalja. Sapo kemi dhënë një porosi që për të mos lejuar dhe në Vaun e dejës shkarkimin atje ku nuk duhet, të bëhen disa shkarkime” u shpreh Prifti. Kreu i Energjetikës deklaron se po negociohet me vendet fqinje dhe kompanitë importuese për të shitur sa më shumë energji. Rodhimi ka arritur në nivelet maksimale në një kohë që hidrocentrali i Fierzës ende nuk është vënë në punë pasi po grumbullohen rezerva. “Kemi dhënë gjithë këto ditë dhe jemi aktualisht duke i dhënë Kosovës shumë energji. Nesër në mëngjes janë njoftuar mbi 20 firma për të bërë një depozitim të ri të energjisë në vendet rreth nesh.” theksoi Ministri Prifti. Me situatën e krijuar, KESH është detyruar të ulë në zero importin e energjisë duke marrë përsipër edhe penalitetet që rrjedhin nga kontratat me kompanitë importuese. (e.n/News24/BalkanWeb)