Rivitalizimi i Parkut të Liqenit, Bashkia mbjell 450 rrënjë kumbulla
TIRANE- Aksioni i Bashkisë së Tiranës për rivitalizimin e parkut të madh të liqenit ka vijuar këtë të dielë me mbjelljen e 450 rrënjëve kumbulla në zonën pranë digës së liqenit duke shtuar në këtë mënyrë hapësirën e gjelbërt në këtë park. Në praninë e kreut të Bashkisë Edi Rama , punëtorët e ndërmarrjes numër 1 kanë vijuar mbjelljen paraditen e sotme duke cuar numrin, sipas kryetarit të Bashkisë në 5000 pemë që i janë shtuar Tiranës gjatë këtij viti. “Me 450 pemët e reja që i shtohen sot këtij Parku në transformim, shkon në 5000 numri i pemëve që i janë shtuar Tiranës për këtë vit, dhe po kaq ne do të shtojmë edhe në vitin e ardhshëm, duke vazhduar në projektin tonë të gjelbërimit të pandalshëm të kryeqytetit dhe të transformimit të kësaj mushkërie të gjelbër, në një mushkëri tërësisht të rivitalizuar, ndërkohë edhe të rrugëve e blloqeve të banimit në Tiranë, në rrugë e blloqe të gjelbëruara, për një mjedis më të gjelbër dhe një ajër më të pastër, në Tiranën që synojmë në vitin 2011, ta bëjmë modelin e pastërtisë në rang Republike” u shpreh Rama. Procesi i gjelbërimit të parkut të madh të liqenit , sipas Bashkisë Tiranë synon një transformim të hapësirës përreth duke bërë që ky park të bëhet një mushkëri e gjelbër dhe tërësisht e ripërtërirë e kryeqytetit. Rehabilitimi i parkut të madh të liqenit, përvecse një projekt mjedisor, përfshin ndër të tjera dhe rindërtimin e rrugëve të brendshme si dhe rikompozimin e ndricimit publik. (e.n/News24/BalkanWeb)