Vrasja e juristes, hetimet shtrihen në Vlorë e Shkodër
Tri ditë pas vrasjes misterioze të Aurora Trashanit, policia nuk ka ende asnjë të dhënë në lidhje me autorët e mundshëm të këtij krimi makabër. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se të gjitha shpresat janë përqendruar të zbardhja e tabulateve telefonike të viktimës, si dhe tek posta elektronike e saj. Për këtë arsye, një grup ekspertësh pritet të marrin kompjuterin e punës së 32–vjeçares, me shpresën e gjetjes së ndonjë të dhëne që mund të çojë në identifikimin e autorit. Kompjuteri i punës pritet t’i nënshtrohet kontrollit, pas kompjuterit lap-top të gjetur në apartamentin e marrë me qira nga juristja Trashani.
Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme, ka vazhduar marrja në pyetje e të njohurve të Aurorës dhe banorëve të zonës, të cilët i janë nënshtruar kësaj procedure për të disatën herë. Efektivët e policisë besojnë se autori i mundshëm i kësaj ngjarjeje duhet të ketë qenë personi i njohur nga viktima dhe për këtë fakt ata janë përqendruar në marrjen e dëshmive të kolegëve, pasi prej aty mendohet se mund të gjenden të dhëna, që mund të çojnë më pas në gjetjen e provave të mjaftueshme për identifikimin e autorit. Referuar të njëjtave burime, mësohet se përveç Tiranës, të shoqëruarit kanë qenë nga disa zona të vendit dhe për këtë, në ndihmë ka ardhur policia e Shkodrës dhe e Vlorës, por sipas grupit hetimor, personat e shoqëruar kanë qenë persona që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes dhe jo të dyshuar për të. Deri më tani, përsa i përket të dyshuarve ende nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar qartë se cilët janë të implikuar, por sipas tyre, bëhet e ditur se janë disa persona tek të cilët është përqendruar më shumë marrja në pyetje, pasi dyshohet se ata mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, në lidhje me dyshimet e hedhura, se autorja mund të ketë qenë një femër, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se deri më tani nuk është përjashtuar asnjë pistë dhe se janë duke mbledhur të gjitha informatat e mundshme, për të gjetur autorin e kësaj vrasje.