Primare korrektësia, rezultatet në plan të dytë

Nga Ejup LLUMNICA
Padyshim, rrjedha e dy javëve të para të stinorit pranveror ka bërë që në javën e tretë cështja parësore të jetë korrektësia e ndeshjeve, ndërkaq rezultatet të jenë në plan të dytë. Dy ndeshje tejet interesante, ajo në Prishtinë, ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit, si dhe Kosova (V) - Trepca, sikur i kanë lënë nën hije ballafaqimet e tjera. Gjithsesi, interesante do të jetë edhe përballja e skuadrave që luftojnë për ekzistencë, Drenica – Liria, të cilave pikët u janë më se të nevojshme
Prishtina - Vëllaznimi
Megjithëse të dyja skuadrat stinorin pranveror e kanë nisur me synime krejtësisht të kundërta, Prishtina synon titullin e kampionit, ndërkaq Vëllaznimi të vetmin synim ka mbijetesën, pikët aq të rëndësishme për të dyja bëjnë që kjo ndeshje të vlerësohet si tejet interesant. "Bardh e kaltrit" assesi nuk bën të dështojnë nëse duan ta ruajnë hapin për më të mirin e kampionatit, ndërkaq për Vëllaznimin pikët nga ky takim do ta ndihmonin shumë në luftë për mbijetesë, për të mos thënë do të ishin shpëtim për të.
Kosova (V) - Trepca
Dy humbje radhazi në stinorin pranveror kundër Prishtinës dhe Vëllaznimit si mysafire, për skuadrën e Vushtrrisë, padyshim, do të thotë shumë, andaj ky do të jetë rast i mirë që ajo në fushën e vet ta shënojë fitoren e parë në pranverë. Mirëpo, kur dihet për rivalitetin tejet të madh që kanë me skuadrën e Trepcës, atëherë vushtrriasit aspak nuk do ta kenë lehtë për ta arritur këtë qëllim. Sido që të jetë, adhuruesit e futbollit presin një përballje tejet cilësore e mbi të gjitha korrekte.
Trepca '89 - Gjilani
Humbja në Prizren e njërit nga pretenduesit për titull - Trepca '89, padyshim ka qenë befasia e javës, pasi që përforcimet në skuadër kanë bërë që ata të vlerësohen si mjaft të rrezikshëm, megjithatë ende asgjë nuk ka përfunduar, andaj "xehetarët" ato pikë të humbura duhet gjithsesi t'i kompensojnë në këtë ndeshje, në të kundërtën cdo rezultat tjetër ata vetëm do t'i shmangte nga lufta për titull.
Besa - KEK-u
Nëse bazohemi në fondin e futbollistëve, atëherë mund të konkludojmë se nuk do të jetë aspak vështirë për skuadrën e Besës në ballafaqim me KEK-un, pasi që ata kanë futbollistë shumë më cilësorë. Megjithatë, paraqitjet e fundit të skuadrës "elektriciste" kanë qenë vërtet mbresëlënëse, andaj edhe pritet që ata në përballje me kampionen e Kosovës, Besën, të angazhohen maksimalisht për të dëshmuar se vërtet janë skuadër që meriton shumë respekt.
Drenica - Liria
Pikët e humbura nga kjo ndeshje, për Drenicën do të thoshin largim nga elita e futbollit, edhe pse deri në fund të stinorit kanë mbetur shumë ndeshje për t'u zhvilluar. Mirëpo, nëse bazohemi në rrjedhën e garave të deritashme, cdo pikë e humbur në fushën tënde vështirë se mund të kompensohet jashtë. Sido që te jetë, drenicasit duhet të luftojnë për tri pikë, ndërkaq prizrenasve edhe një barazim do t'u konvenonte.
Flamurtari - Shqiponja
Në mungesë të trajnerit Agim Hasani dhe dy futbollistëve Bekim Isufit dhe Hivzi Ahmetit padyshim do të jetë vështirë për skuadrën e Flamurtarin në fushën e vet në ballafaqim me Shqiponjën. Megjithatë "kuqezinjtë" gjithmonë në fushën e vet kanë ditur të organizohen mirë dhe edhe këtë herë priten pikët e plota nga kjo ndeshje.
Ferizaj - Hysi
Cilësia e barabartë që kanë këto dy skuadra bën që edhe parashikimi i rezultatit të jetë i vështirë. Mirëpo, paraqitja para shikuesve të vetë, si dhe bilanci shumë i mirë si vendës i skuadrës së Ferizajt bën që ajo të llogaritet favorite. Megjithatë, Hysi në dy ndeshjet e kaluara ka treguar një lojë shumë mirë të organizuar, andaj nëse përsëriten ato shumë lehtë ata mund të kthehen me rezultat të favorshëm nga Ferizaj.
Besiana - Kosova (P)
Fituesi gjithsesi është i kuptueshëm nga ky takim, është Besiana, pasi që prishtinasit vërtet nuk kanë fond të mjaftueshëm për t'u përballur me skuadrat e Superligës. Edhe përkundër ardhjes së trajnerit Haki Bllacaku, i cili ka sjellë një frymë të re dhe futbollistët po angazhohen mjaft, megjithatë kushtet e vështira në skuadër bënë që ata mos të jenë kundërshtar të denjë, e sidomos kur luajnë si mysafirë.
Box
E shtunë
Skënderaj: Drenica - Liria
I. Shuleta, S. Berisha, J. Musolli
Podujevë: Besiana - Kosova (P)
S. Domi, D. Radoniqi, A. Rexhepi
Prishtinë: Prishtina - Vëllaznimi
M. Ferati, A. Hoxhaj, A. Morina
E diel
Pejë: Besa - KEK-u
H. Hajdari, A. Kastrati, K. Bunjaku
Vushtrri: Kosova (V) - Trepca
Z. Qorraj, Q. Haskuka, B. Këpuska
Mitrovicë: Trepca '89 - Gjilani
P. Hasani, B. Fejzullahu, N. Ajvazi
Ferizaj: Ferizaj - Hysi
I. Kelmendi, G. Daka, B. Maliqi
Prishtinë: Flamurtari - Shqiponja
I. Mustafa, Z. Berisha, N. Mehana
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 14:00