E Diel, 1 Nëntor 2026

Përurohet sot Mozaiku i Tiranës, i vetmi monument i saj arkeologjik

Tiranë, 23 Janar NOA - Mozaiku i
Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të
Tiranës dhe si i tillë mbart shumë vlera, për sa i përket trashëgimisë se
kryeqytetit.

Ky mozaik i cili fillimisht u zbulua në vitin
1972, kishte disa vite që nuk restaurohej. Me projektin e financuar nga MTKRS bëri
që mozaiku të restaurohej duke e rikthyer në gjendjen pas restaurimit të bërë për
herë të parë në vitin 1976.

Ditën e sotme, pritet që Mozaiku i Tiranës të
përurohet në orën 11.00 në rrugën e Kavajës, ku shiritin do ta presë ministri i
Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.

Arkeologët mendojnë se kemi të bëjmë me një
qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u
zëvendësua me një vilë fshatare (vila rustika).

Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë,
ishte ambienti kryesor i saj.

Autorët mendojnë që në shek. V-VI, vila u
zëvendësua me një bazilikë paleokristiane.

Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit
të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut Partizani zbuluan pranë rrethimit
të monumentit pjesë të tjera të kompleksit, ndër të cilat më kryesoret ishin
vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në
dy pika të ndryshme dhe një pitos i madh i periudhës së antikitetit.

Siti arkeologjik, ose me sakte kompleksi i vilës
fshatare romake, është një dëshmi shumë e rëndësishme për identitetin historik
te vendbanimeve të hershme ne kryeqytetin tone. Perceptimi në popullin e
kryeqytetit është se Tirana, vendbanimet më të hershme i ka të shekullit 13-14
te erës sonë. 

Në fakt ky mozaik dëshmon për hershmërinë e
vendbanimeve në këtë qytet. Duke patur parasysh qe ne Tirane dhe veçanërisht
pranë këtij monumenti ka rrënoja arkeologjike, DRKK Tirane do të paraqesë së
shpejti një propozim për shpalljen e zonës rreth Mozaikut në Zonë Arkeologjike
A.

Dhënia e këtij statusi do ta mbrojë me ligj
këtë zonë në mënyrë që të ndalet kasaphana që i është bërë trashëgimisë të kryeqytetit.

a.r/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›