E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princi Leka takon krerët vendorë të Shkodrës

19/05/2009  Princi Leka, në cilësinë e trashëgimtarit të familjes mbretërore shqiptare, ka mbërritur sot në qytetin e Shkodrës, ku ka zhvilluar takime me drejtuesit e pushtetit vendor dhe me studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.Vizita e tij në kryeqendrën e Veriut ishte e lidhur kryesisht me akordimin e titullit “Qytetare Nderi e Shkodrës” për nënën Mbretëreshë Gerardinë, titull ky i miratuar dhe akorduar nga këshilli bashkiak i qytetit. Princi Leka u takua me drejtuesit e pushtetit vendor në Shkodër, të cilëve u shprehu mirënjohje për respektin, mikpritjen, mbështetjen që ka dhënë gjithmonë Shkodra ndaj familjes mbretërore. Gjatë vizitës në Shkodër princi Leka zhvilloi një takim me studentët e Fakultetit Juridik në universitetin e Shkodrës. Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, kryesisht për rolin e Ministrisë së Jashtme, ai vlerësoi punën që është bërë në këtë ministri në procesin e futjen së Shqipërisë në NATO, për integrimin në BE si dhe për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Që prej dy vjetësh princi Leka ka zëvendësuar në aktivitetet e jetës shoqërore princin Leka Zogu i Parë, i cili për shkak të moshës, por edhe shëndetit thuajse e ka braktisur përfundimisht jetën politike në Shqipëri, duke ia lënë vendin të birit, i cili mban dhe detyrën e këshilltarit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›