E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princi që nalargon nga Evropa

21 janari ka shkuar. Përgjakja e bulevardit është larë, gjurmët janë fshirë. Të tjera gjurmë si urdhra, plane kundër-sulmi, deklarata luftarake, të gjitha janë fshirë. Të tjerë flasin për “grusht shteti”, ndërkohë që askush nuk u pa me armë. Protesta ishte e dhunshme dhe këtë e panë të gjithë. Dhunë mbi korrupsionin dhe “demo-kraturën”, ku kjo përzierje e “diktaturës me demokracinë” i ka dhënë Shqipërisë një fytyrë të ligësht, të mjerueshme, që na dallon nga vendet e tjera të Evropës. Avokatët e zellshëm rrethojnë Princin duke i afruar argumente, kundër-argumente… Ditët kalojnë në zi dhe kujtesë popullore. Kujtesa popullore është gjithnjë histori. Largohemi çdo ditë e më shumë nga kjo ditë dhe qajmë fatin tonë. E ardhmja jonë evropiane qenkësh një kalvar. Duhet të kalojmë veçse me urdhër të Princit dhe konform vullnetit të tij. Vetëm ai mund ta mundësojë këtë. Por ai na kërkon të zhveshur të gjithëve, me gra e me motra, familjarë lakuriq që t’i tregojmë mbarë botës anatominë tonë, karakteristikat shqiptare të kërbishtit dhe seksit, gjakun tonë të holluar e të bërë ujë, gjumin e shprishur, zhgjëndrën tonë të përditshme, frikën ndaj kanosjes, hakmarrjen ndaj nesh, ndaj fqinjit që shan pushtetit. Dhe ne kërkojmë ta largojmë idenë e poshtërimit dhe të nënshtrimit tonë. Duam të mbijetojmë. Dhe mbijetesa është e barabartë me fjalën e lirë. Atëherë duhet të zgjedhësh. Dhe ata që zgjodhën, ranë preh e dhunës. Pushteti nuk shahet, thotë megafoni i sheshit dhe i televizionit. Pushteti nuk sulmohet me gurë. Këtu nuk jemi Tunizi, Algjeri, Marok, Egjipt. Këtu jemi Evropë! Evropa e Fjalës së Lirë dhe e të Drejtës, të shkul dhëmbët. Evropa të godet!” – thotë Princi, - ndërkohë që ekranet e Evropës jo rrallë na tregojnë skena të ngjashme në Athinë, Romë, madje dhe në vendet më të qytetëruar si në Francë. Kur populli është i pakënaqur, ai shfryn. Shqiptarët nuk e kanë masën e shfryrjes. E megjithatë, ata duan të jetojnë më mirë. “Duam zgjedhje të lira” – thotë populli. (S’ka më të lira se gjer më sot, - thotë Princi – “standarde të shkëlqyera evropiane”). Njeriu i varfër vetëm nxjerr gjuhën. Shaka i hidhur për të! Populli do zgjedhje të tjera. S’ka më zgjedhje të parakohshme”, - thotë Princi. Unë respektoj Kushtetutën, të cilën ai e shkel, kur është fjala për të mbrojtur bandën e tij, për të sulmuar institucionet, pavarësinë e tyre). “Atë e di unë!” – thotë Princi. Unë jam garanti i votës së lirë, i zgjedhjes së lirë! Garant i së ardhmes tuaj. Pra zhvishuni dhe ecni të lirë, të paqtë, siç ju ka bërë nëna. Ne mendojmë për jetët tuaja, për të ardhmen tuaj. Ne jemi të pagjumë ! Ju mbrojmë! Ju qëllojmë!”
Dhe qytetari i thjeshtë pyet veten: ku janë intelektualët? Ku janë mbrojtësit tanë? Ku janë pinjollët e Sokratit të madh? Ku janë? Shumë prej tyre lexojnë gazetat, komentojnë kafeneve, llomotisin gjithë ditën në shtëpitë e tyre, dhe pak janë ata që flasin. E përse të prononcohen? Që të gjenden në rrugë? Të etiketohen, të përjashtohen nga “dhuratat” dhe lavdet e Princit. E ç’ju duhet? Sa të jetë Princi në këtë vend, mendojnë ata, është e kotë të flasësh.
Vite me radhë kam shkruar kundër Princit. Kundër dhunës së tij. Më së fundi u lodha, heshta. Në djall të vejë thashë. Por ja, një video, një vrasje e tmerrshme në “you tube” e zgjoi letargjinë time, e zgjoi zemërimin tim. Dhe thashë: E si mund të heshtët para kësaj vrasje? Kush vallë në Evropë do ta pranonte një vrasje të tillë? Princi e ngatërron Evropën me vendin e zuluve, të cilën na e kujton gjithnjë Faik Konica i madh. Ne nuk jemi “zulu”, as “zululand”. Ne jemi qytetarë të Evropës. Evropa nuk di të përgjakë. Përsa kohë do të përgjaken rrugët e sheshet në Shqipëri, nga cilado forcë politike, nga cilido Princ, Shqipëria nuk e ka vendin në Evropë.
Të vrasësh një njeri, kur ai fare i qetë vështron nga dritarja ku fshihet Princi me telefon në dorë, kjo është barbari. Njeriu është me kostum. Ai s’ka asgjë nëpër duar. Ai nuk ka armë. Ka vetëm shpirtin e revoltuar. Ai nuk thërret. Ai vështron. Me praninë e tij ai shpreh se është kundër Princit dhe shpurës së tij. Ai nuk është as kriminel, as i pakrehur, as i palarë, as bandit, siç do të donte Princi. Tutje, një djalosh gjuante me gurë. Vetëm një. Por plumbi është më i fortë se guri.
Pas vrasjeve, kortezhe mortore, qirinj të ndezur në portën e sarajit princor, shpërblime me para, cilësime publike, ku ata që vranë cilësohen “heronj”. Heronj të kohës sonë! Heronj që shpejt do të cilësohen si vrasës gjakftohtë, të mashtruar dhe të gënjyer nga ideja gjoja e përmbysjes!
Ky fund janari është i nxirë në Tiranë. Tirana e përgjakjeve në ditë lirie, Tirana e 1997, e 1998, Tirana e janarit të vitit 2011. Vallë kështu do të vazhdojmë?
Princi është i pagjumë. Princi dhe eskorta e tij, lajkatarë të të gjitha ngjyrave, “tregtarë flamujsh”, “tregtarë partish”. Përgatiten platforma për t’i treguar botës, pra për ta gënjyer atë se ç’ndodhi në Tiranë. Princi sheh ëndrra me sy hapur. Princi sheh “Planin B”. Një zë misterioz i ka pëshpëritur se “Plani B” është për përmbysjen e tij. Dikush i ka folur dhe për “Planin C” e kështu me radhë. Por janë veçse zëra në mendjen e shkatërruar të Princit, pëshpërima magjistricash të frikshme. Princi nuk luan nga istikami. Princi nuk luan nga pushteti.
Princi i di të gjitha. Ai mbikëqyr. Ai godet. Ai di të mbajë peng këdo. Ai u kujton një pjese të inteligjencës dhe zyrtarëve të gjorë origjinën, mëkatet e vogla e njerëzore, dhe atëherë intelektuali i mjerë hesht. Gjithë një vend mbahet peng. Dhe populli i varfër që sipas tij na bën “përparimet më të mëdha në Evropë” pyet veten: Ku është elita e tij, ajo që do ta mbrojë? Ku janë akademikët e tij, inteligjenca që duhet t’i ndalë dorën pushtetarit të verbër e të dhunshëm? Ku janë organizatat e së Drejtës, ato të Kulturës Demokratike, e Shoqërisë Civile që lulëzojnë si kërpudhat? Ku janë? Një armatë që nuk guxon të flasë sepse Princi ka dorë të ashpër! Të rëndë! Dorë Princi! Ai ka kujtesë dhe di si të ndëshkojë! Pasi vetëm ai ka të drejtë të thotë: “Institucioni jam unë. “Nëse bie unë, bie institucioni, konstitucioni, shteti. Pas meje do të ketë veç shkatërrim! Unë jam shpëtimtari i këtij kombi. Kam mandatin e Zotit, dhe Zoti më ka kërkuar të qëndroj, në krye, me hir e pahir, gjer në frymën e fundit. Zoti do! Kush mund të ngrihet kundër vullnetit të tij?!”
Por Princi harron se ka ende njerëz që e duan kurajën dhe e çmojnë atë më shumë se shkëlqimin e parasë, postit, lavdet qeveritare, titujt. Kuraja ekziston dhe në kohë të “demokraturë”-s. Filozofi Vladimir Jankeleviç shkruante se “duhet filluar nga fillimi. Dhe fillimi i të gjithave është kuraja!” Po, kuraja për të ecur drejt së vërtetës. Në këtë tranzicion të vështirë demokratik shqiptar, kuraja shumë herë ka paguar një çmim të rëndë: jetë njerëzish, burgje, privacione, hakmarrje, goditje me hekura e shkopinj, rrëmbime nga agjentë sekretë. Por Princi gjithnjë ka tentuar ta errësojë të vërtetën, ta deformojë, ku i akuzuari bëhet i akuzuar, ku e gënjeshtra serviret për të vërtetë, ku kalemxhinjtë që rrethojnë Princin, nga akuzatorë të djeshëm, sot drejtojnë “industrinë” mediatike të deformimit të së vërtetës, edhe pse dikur janë futur nëpër burgje dhe janë dënuar po nga Princi. Një tragjikomedi shqiptare!
Princi S.B…. KRYEM… Ai vazhdon të qëndrojë pas xhamit. Edhe pse kanë kaluar disa ditë pas dhunës popullore. Përgjon sheshin. Princi ka premtuar dhunë dhe zjarr! Zjarr kundër atyre që cenojnë sipas tij “demokracinë”. Zjarr! Jetë njerëzish u shuan nën qiellin e errët të Tiranës. Shpresat vriten, e ardhmja gjithashtu.
Bën ftohtë në Tiranë. Njeriu i varfër që kishte zbritur në Tiranë dhe është larguar i zhgënjyer nga dhuna e qeverisë. Ai e ruan në shpirt protestën. Ai nuk harron!
Filozofi i njohur, Emanuel Kant, në veprën e tij madhore “Kritikë e mundësisë për të gjykuar”, shkruante se “çdo ndjesi ndaj kurajës, që na bën të ndërgjegjshëm për forcat tona për të luftuar dhe mundur rezistencën ndaj së drejtës, është estetikisht diçka sublime”. Por ajo është jo vetëm estetike. Së pari është utilitare. Çështje e ardhmërisë! Po kështu dhe Bertold Breht, një nga figurat e inteligjencës gjermane në kohën më të errët të Gjermanisë, duke iu referuar kurajës dhe së vërtetës, shkruante se së pari duhet kurajë për të shkuar drejt së vërtetës. “Shkrimtari nuk duhet të bëjë që e vërteta të heshtë e as ta mbysë atë, as të shkruajë diçka të gënjeshtërt. Ai nuk duhet të përkulet para të fuqishmëve dhe as të gabojë të dobëtin…”. Po, nuk duhet t’i përkulesh Princit, që aq shumë na largon nga Evropa.
Princi është në pragun e fundit të tij. Një fund i errët, pa lavdi, si mëkatar i madh. Princi do të kujtohet gjatë. Do të jetë referencë. Referencë e së keqes, e dhunës, e poshtërimit të tjetrit, e fjalës së mbrapshtë parlamentare, simbol i mbrojtjes së pushtetit të korruptuar.
Makiaveli ka shekuj që fle. Ai nuk e kishte menduar që historia e princërve të tillë do ta kapërcente Mesjetën dhe do të vinte gjer në kohërat moderne, madje do të përvijonte dhe dhjetëvjeçarin e parë të mijëvjeçarit të tretë. Princi që drejtonte topat dhe shigjetarët, tani drejton pushkët e tij. Vetëm kështu mund të qëndrosh në pushtet! Zoti i ka dhënë mandatën ta nxjerrë në dritë këtë popull. Hosana!...Tashmë i mbetet dhe atij të vërë një skafandër!
Francezët kanë një fjalë: “Degage!”, që në shqip do të thotë “shporru”! Le të vijnë të na udhëheqin të urtit, të mençurit, të paqtit, nga cilido krah politik. Veç të jenë evropianë të vërtetë! Princi nuk është simboli i së “djathtës shqiptare” dhe e “djathta” besoj se nuk e gjen veten të mishëruar tek ai. Le ta dëgjojmë fjalën e plakut të mençur Godo…
*Ish-ambasador
(Gazeta Shqiptare /balkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›