E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, vendi me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit”

Në një intervistë për “Standard”, z. Ferdinand Xhaferaj, ministri i MKTRS-së, ka treguar disa prej përparësive të dikasterit që ai drejton lidhur me angazhimet e qeverisë dhe potencialet e Shqipërisë në fushën e turizmit, por edhe axhendën për vitin 2011.

Z. Xhaferaj, cilat, sipas jush, mbeten sfidat e ministrisë suaj, lidhur me të ardhmen e turizmit për vitin 2011 dhe në vitet në vazhdim? Cila është strategjia afatgjatë e zhvillimit?

Është kënaqësi që në prag të fillimit të një viti intensiv pune të trajtojmë një çështje shumë interesante siç është “Shqipëria, vendi me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit”, një temë kjo shumë e goditur për diskutim, por në të njëjtën kohë edhe sfidë e punës tonë të përbashkët për vitin 2011.

Turizmi sot është një nga sektorët më kryesorë të ekonomisë, sektor shumëdimensional, i cili ka një kontribut të drejtpërdrejtë në krijimin e të ardhurave kombëtare, në reduktimin e varfërisë, ne krijimin e vendeve të reja të punës, ne inkurajimin e investimeve dhe nxitjen e tregtisë. Qeveria shqiptare në programin e saj për vitet 2009-2013, kur ndalet tek turizmi e konsideron këtë industri si prioritet duke e parë atë si një ndër fushat me kryesore për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit. Pyetjes suaj se ku qeveria kërkon të shkoje në fushën e turizmit dhe cila është strategjia afatgjatë e saj, shumë thjesht mund të them se objektivi madhor, i rakorduar edhe me aktoret private në fushën e turizmit, është kthimi i vendit në një destinacion kryesor mesdhetar.

Pra, jemi në një moment kur ka një konsensus të gjerë në vend se turizmi është prioritet për të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi dhe kryeçështja është se çfarë kursi efektiv të ndjekim që të jemi konkurrues në një rajon me tradita në fushën e turizmit.

Industria e turizmit sot prezantohet si një treg mjaft dinamik, që kërkon aftësi menaxhuese, talent, por edhe politika mbështetëse dhe inkurajuese për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm. Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht iniciativat në mbështetje të industrisë turistike dhe krijimin e një klime miqësore për sipërmarrjet private, ndërkohë që MTKRS është përpjekur që të përmirësojë sjelljen institucionale për të lehtësuar dhe mbështetur industrinë turistike në vend.

Me konsensus të gjerë pranohet se gjatë 5 viteve të fundit qeveria shqiptare ka përmirësuar, më shumë se çdo vend i rajonit, infrastrukturën e vendit, duke u fokusuar në zonat që kanë potenciale për zhvillimin e turizmit. Po kështu, ka zgjidhur përfundimisht problemin e energjisë dhe garanton në standarde të kënaqshme evropiane lidhur me parametrat e sigurisë në vend.

Cilat janë investimet e qeverisë në fushën e turizmit?

Më konkretisht, gjatë viteve 2006-2010 qeveria shqiptare ka investuar mbi 1,5 miliard euro për të ndërtuar rrugë që i shërbejnë zhvillimit të turizmit, ku do përmendja rrugën Durrës – Kukës – Morinë, rrugë e cila lidh Shqipërinë me Kosovën dhe, më tej, me disa vende të rajonit, nga i cili kemi dhe numrin më të madh të vizitorëve, si edhe rrugën përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë.

Nuk do të lija mënjanë punimet në vijim të rrugës Bogë – Theth, një prioritet i qeverisë në kuadër të iniciativës më të fundit për zhvillimin me ritme të shpejta të turizmit malor dhe përjashtimin nga taksat për një periudhë 5-vjeçare për të gjitha investimet në këto zona.

Janë miratuar gjithashtu studime rajonale zhvillimi afatgjata, në zona të ndryshme të vendit, në përputhje të plotë me Strategjinë e Turizmit duke ruajtur diversitetin kulturor, natyror dhe historik të rajoneve përkatëse. Përmendim këtu bashkëpunimin me Bankën Botërore për planin e integruar të bregdetit të jugut, studimin për zonën Rradhimë – Orikum, zonën e Golemit dhe Velipojës, si edhe për rajonet Shkodër, Voskopojë dhe Korçë.

Gjatë vitit 2010 në bashkëpunim me UNDP finalizuam strategjinë e marketingut kulturor. Bazuar në këtë strategji synohet që gjatë vitit 2011 të kemi një seri aktivitetesh kulturore që do mundësojnë realizimin e objektivit afatshkurtër të strategjisë: “Visiting Albania 2012” që përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Zhvillimet në sektorin e turizmit kanë ndikuar që të kemi një ecuri me bilanc pozitiv në terma shifrash për vizitorët e huaj në vite. Viti 2010 ka shënuar një rritje të konsiderueshme të vizitorëve të huaj në Shqipëri në më shumë se 3.5 milion turistë. Ky vit ka shënuar sukses në pasqyrimin e turizmit shqiptar në mediat e huaja ndër më prestigjiozet në botë ku “Reuters”, “CNN”, “Corriere Della Sera”, “New York Times”, “Lonely Planet” dhe së fundmi edhe “Financial Times”, kanë në lajmet e tyre një emërues të përbashkët duke propozuar Shqipërinë si një destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar në 2011.

Cila është axhenda e MKTRS-së për këtë vit?

Në funksion të këtij prioriteti, axhenda jonë për 2011 synon “cilësinë dhe vetëm cilësinë”.

Cilësi në investime dhe infrastrukturë

Ligji i ri “Për turizmin” që është në fazën e diskutimit me grupet e interesit parashikon harmonizimin e iniciativave private vendase dhe të huaja, dhe nxitjen bashkëpunimit ndërsektorial me qëllim krijimin e hapësirave maksimale për shfrytëzimin e energjive pozitive që tashmë po konturojnë zhvillimin e industrisë së turizmit në vend. MTKRS në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Turizmit, por edhe me aktorë të tjerë do të punojë për krijimin e lehtësirave fiskale në vend.

Në fokus do të kemi përafrimin e detyrimit të TVSH (Tatimi i vlerës së shtuar), për bizneset turistike, me vlerat mesatare të rajonit tonë.

Ka mbaruar së fundmi rruga drejt parkut arkeologjik të Antigonesë, që i bashkohet parqeve arkeologjike të Butrintit, Finiqit, Apolonisë, Orikumit e Shkodrës për cilësinë e infrastrukturës së tyre cilësore.

Pastrimi i plazheve mbetet një nga problematikat me serioze të turizmit të diellit dhe rërës. Qeveria ka vendosur ngritjen e një komiteti ndërministror të drejtuar nga Kryeministri Berisha, i cili do të punojë me qëllim përmirësimin maksimal të gjendjes në zonat turistike për vitin 2011 dhe në vijim. Motoja e qeverisë dhe ajo që duhet të ketë edhe pushteti vendor në këtë vit që Shqipëria është kurorëzuar si destinacion primar në botë, është pastërtia! Garantimi i standardeve bashkëkohore të pastrimit duhet të jetë prioritet për të gjithë ne.

Cilësi në shërbime

Viti 2010 shënoi një ngritje cilësore në ofrimin e shërbimeve turistike nga institucionet private dhe publike në vend. Në muajin mars 2010 ne krijuam, për herë të parë, Zyrat e Shërbimit Turistik në 9 rajone, të cilat në vitin 2011 synojnë rritjen e mëtejshme të cilësisë së shërbimit për vizitorët.

MTKRS, për turizmin kulturor është e vendosur të përmirësojë ndjeshëm prezantimin e monumenteve të kulturës, qendrave arkeologjike dhe muzeve të saj, me qëllim krijimin e një pakete “zyrtare”, që turistët mund të zgjedhin për të vizituar. Përmirësimi i aksesit të vizitorëve në Butrint, ndërhyrja radikale në menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në funksion të turizmit dhe rigjenerimin e muzeut arkeologjik, i cili është në rikonstruksion, investimet në Amfiteatrin e Durrësit dhe rikonstruksioni dhe rikonceptimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit janë disa nga iniciativat që do konkretizojmë për vitin 2011.

Cilësi në edukim dhe trajnim turistik

Forcimi i bashkëpunimit me Universitetin Evropian të Turizmit dhe universitetet që kanë në fakultetet e tyre degë për turizmin, por edhe bashkëpunimi me aktorë të rëndësishëm për MTKRS si GTZ, SNV, USAID Rritje Albania do të vazhdojë për të mundësuar, në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, një obligim jetik për këtë industri, përmirësimin e shërbimeve turistike.

Jam i bindur se trashëgimia e pasur kulturore, unike dhe e mirënjohur shqiptare ofron shumë mundësi për të vazhduar përpjekjet tona, për transformimin pozitiv të industrisë turistike në vend. Tashmë jemi në fokusin botëror të zhvillimeve turistike dhe duhet të bëjmë maksimumin për të konsoliduar pozitat tona në këtë treg duke fuqizuar sektorin privat dhe shtuar investimet direkte në të gjithë sektorët që lidhen me turizmin.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›