E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prindër të rinj për 16 fëmijë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Fëmijët e braktisur nga prindërit dhe familjet pa fëmijë kanë mundur të plotësojnë njëra-tjetarën në 16 raste gjatë këtij viti. Shumë pak prej fëmijëve të braktisur, të cilët nisin jetën vetëm që në ditët e para të saj, kanë pasur fat dhe janë bërë pjesë e një familjeje. Në gjysmën e parë të këtij viti, Gjykata e Tiranës u ka dhënë familje 16 fëmijëve, të cilët janë birësuar. Por më të prirur për të birësuar fëmijë janë familjet e huaja që jetojnë në vendin tonë. Kështu, nëntë prej kërkesave për birësim janë depozituar nga çifte të huaja. Ndërkohë që kërkesat e tjera janë bërë nga çifte shqiptare që nuk kanë mundësi të kenë një fëmijë biologjik të tyrin.
Kërkesat
Pamundësia për të pasur një fëmijë biologjik ka shtyrë 40 çifte t i drejtohen gjykatës për t u bërë prindër birësues. Kërkesat janë dorëzuar gjatë këtij viti në Gjykatën e Tiranës. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se çiftet që duan të birësojnë një fëmijë, përveç dëshirës së mirë, duhet të plotësojnë dhe kushte të tjera. Ndër kryesoret janë kushtet ekonomike dhe garancia që ofron çifti për jetën e të miturit. Duke shqyrtuar kërkesat dhe kushtet e familjeve birësuese togat e zeza kanë lejuar të bëhen “prindër” 16 çifte gjatë këtij vitit. Ndërsa pjesa tjetër e kërkesave është ende në proces gjykimi.
Birësuesit
Burime nga gjykata bëjnë të ditur se ka birësime vendase, brenda vendit dhe birësime ndërkombëtare, nga shtetas të huaj. Kryesisht janë birësuar fëmijë në disa vende si në Itali, Francë, SHBA, Kanada, Maltë, Austri, Suedi. Të dhënat e përgjithshme tregojnë se gjatë 14 viteve të fundit, që nga 1994 deri vitin e kaluar janë realizuar 1115 birësime, ku fëmijët kanë gjetur nga një familje të re.
Procedurat
Në bazë të legjislacionit shqiptar, për të birësuar një fëmijë shqiptar, bashkëshortët i drejtohen Komitetit Shqiptar të Birësimeve dhe pas miratimit të kërkesës nga ky komitet, ata duhet të marrin dhe vendimin e gjykatës. Nga të dhënat në gjykatë, mësohet se kryesisht prindërit kërkojnë të birësojnë fëmijë që nuk e kanë mbushur ende vitin e lindjes, por nuk mungojnë dhe rastet kur ata dëshirojnë të birësojnë fëmijë të moshës 3-4 vjeç. Fëmija që birësohet, e humbet të drejtën e trashëgimisë ligjore të prindërve biologjikë dhe këtë të drejtë e fiton përmes prindërve birësues. Sipas ligjeve shqiptare, qëllimi i vetëm për birësimin e një fëmije është interesi i lartë i të miturit, që garanton respektimin e të drejtave themelore, bazuar në Konventën e Hagës.

Ligji nr. 33

"Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit". Para viteve 90, birësimet realizoheshin me procedura më të thjeshta, me anë të gjykatave, të cilat administronin kërkesat nga shtëpitë e foshnjave dhe të shtëpive të fëmijëve, për birësim vetëm brenda vendit, ose përmes palëve me pëlqim brenda gjinisë. Pas këtij viti, ligji ndryshoi duke u bërë më i ashpër. Sipas të dhënave, numri më i madh i çifteve që kërkojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë ka qenë i të huajve. Në procedurat e birësimit kalojnë ata fëmijë që janë të mitur dhe që nuk e kanë mbushur moshën 18 vjeç, ata që me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë u është hequr e drejta prindërore, dhe kujdestaria e tyre i ka kaluar shtetit ose të afërmve të fëmijës, dhe, ata fëmijë që kanë marrë pëlqimin e prindërve biologjikë për të kaluar në procedurat e birësimit. Gjithashtu, birësohen ata fëmijë që janë lënë në kujdestari të institucioneve të përkujdesit social shtetëror, por që prindërit, në mënyrë të dukshme, nuk kanë treguar interes prindëror përgjatë 1 viti. Për ata fëmijë që janë deklaruar qysh në lindje të braktisur, afati për birësimin e tyre kufizohet nga 1 vit në 3 muaj.

1115 birësime janë bërë që nga viti 1994 deri në vitin e kaluar. Shifrat janë marrë nga të dhënat zyrtare të institucioneve që merren me procedurat e tyre. Numrin më të madh të këtyre e mbajnë shtetasit e huaj, që birësojnë fëmijë shqiptarë.

Kur procesi i birësimit përfundon me anë të një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë, që është i parevokueshëm, (i parikthyeshëm), statusi ligjor i fëmijës kalon nga ai i prindërve biologjikë, tek prindërit birësues. Në këto rrethana, të dhënat në certifikatën e lindjes së fëmijës së birësuar, ndryshojnë në një certifikatë të re.

Foshnjat e braktisura
Viti 2007 u mbyll me 25 bebe të braktisura
Infermieret-edukatore dhe punonjësja sociale që merren me mirëmbajtjen e këtyre foshjave tregojnë se, fatmirësisht, bebet po braktisen gjithnjë e më pak. “Vetëm 25 foshnja u braktisën gjithsej gjatë vitit 2007. Krahasuar me vitet e mëparshme, numri i bebeve të braktisura ka rënë. Aktualisht ne kemi vetëm katër foshnja që qëndrojnë në maternitet, maksimumi, dy në muaj. Më pas ato dërgohen në Shtëpinë e Foshnjës, e cila ndodhet në Sauk dhe i nënshtrohen më pas procesit të birësimit sipas kërkesave që ka. Gati të gjithë fëmijët e braktisur janë birësuar duke nisur nga 0 deri në 6 vjeç”, - thotë Mira Asllani, punonjëse sociale pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Foshnjat e braktisura pothuajse në të gjitha rastet janë jashtë martese dhe nënat janë të moshave nga 15 deri në 40 vjeç. Fëmijët që janë çuar për birësim kanë ndjekur të gjitha procedurat që kërkon ligji dhe janë të gatshëm për t u birësuar nga ato familje, të cilat kanë depozituar kërkesat e birësimit. Sipas infermiereve, fëmijët kanë një zhvillim normal psikomotor, ndaj kanë mundësi të birësohen brenda një kohe mjaft të shkurtër. Madje, dokumentacioni i këtyre fëmijëve është plotësuar në një kohë shumë të shkurtër, pasi ka pasur shumë kërkesa nga familjarë të ndryshëm. Një numër i konsiderueshëm kërkesash birësimi ka ardhur nga familje të huaja, disa prej të cilave i kanë vizituar fëmijët edhe në ambientet e maternitetit. Punonjësja sociale tregon se është më mirë që nënat të deklarojnë që në fillim për braktisje e fëmijës, pasi, sa më shumë kohë të kalojë për të marrë një vendim, aq më shumë do të vonohen dokumentet dhe procedurat e birësimit. Kjo vjen pasi disa nëna mendojnë ta ndjekin fëmijën deri disa muajsh, por më vonë zhduken pa lënë asnjë gjurmë. Megjithatë, në rastet kur familja e vajzës është në dijeni për lindjen e fëmijës, foshnjat nuk braktisen. Pavarësisht se fëmija nuk ka një baba që t i njohë atësinë, familja e vajzës tregon më shumë pjekuri, edhe nga vetë eksperienca nuk e braktis foshnjën. Por nga ana tjetër, punonjëset e maternitetit tregojnë se ka dhe raste kur vajzat arrijnë ta fshehin shtatzëninë dhe kur vjen koha e lindjes i braktisin foshnjat, ndonëse me shumë dhembje.

Fëmijët jetimë
Sipas një raporti të Amnesty International, thuhet se vetëm gjatë periudhës qershor -dhjetor 2007 janë trajtuar në institucionet publike gjithsej 281 fëmijë, 55 ditorë dhe 226 rezidencialë. Prej tyre, 101 fëmijë janë të gjinisë femërore dhe 125 të gjinisë mashkullore, ku 157 jetimë socialë dhe 69 jetimë biologjikë. Sipas të dhënave të mëtejshme të raportit, numri i fëmijëve rezidencialë në total është ulur nga 351 në 281 fëmijë me një mesatare prej (8 % ). Janë trajtuar në 24 qendra ditore dhe 16 rezidenciale jopublike gjithsej 6364 fëmijë (347 rezidenciale). Janë pranuar gjithsej në institucione publike dhe jopublike me vendim komisioni 96 fëmijë. Janë birësuar gjatë periudhës qershor-dhjetor 2007 39 fëmijë (20 jashtë vendit dhe 19 brenda vendit ). Janë transferuar nga një institucion në një tjetër me vendim komisioni, 13 fëmijë.

Arsimimi
Po sipas këtij raporti, thuhet se kanë filluar studimet në shkollat e mesme 24 fëmijë jetimë që trajtohen me bursë nga shteti. Në praktikë, shumica e fëmijëve të jetimoreve shtetërore vazhdojnë shkollën e mesme, zakonisht atë profesionale. Gjatë kësaj kohe, ata janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit dhe u sigurohet qëndrimi falas në konviktet e shkollës, arsimimi, ushqimi dhe 10.000 lekë në vit për veshje, si dhe një pagesë e përmuajshme për shpenzime personale minimale prej 500 lekësh. Jetimët kanë pak zgjedhje. Jetesa nëpër konvikte është pothuajse e vetmja zgjidhje për strehimin që u ofrohet jetimëve të kësaj grup-moshe (14 deri 18 vjeç), ku ata strehohen së bashku me nxënës që vijnë nga rrethet e tjera. Në raport thuhet se për sa u përket fëmijëve që nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të ndjekin shkollat e mesme, shteti nuk u siguron asgjë përveçse u lejon atyre që nuk kanë mbaruar ende arsimin e detyruar të qëndrojnë në jetimore deri në moshën 17 vjeç.

Tarifa ditore e ushqimit
Sipas të dhënave nga SHSSH-ja, tarifa ditore e ushqimit për fëmijët jetimë në shtëpinë e foshnjës është 240 lekë. Vetëm 10 lekë më shumë nga kategoria e parë, 250 lekë llogaritet tarifa e ushqimit për fëmijët më të rritur të moshës 3 deri në 6 vjeç. Ndërsa për fëmijët jetimë të moshës 6 deri në 15 vjeç tarifa është përcaktuar 270 lekë, duke vijuar me 10 lekë më shumë rritje pavarësisht moshës madhore apo oreksit për të konsumuar më shumë. Akoma më e vogël mbetet tarifa ditore e ushqimit për të moshuarit që janë vendosur në shtëpinë e të moshuarve, e cila është përcakuar në kuotën e 230 lekëve. Tarifat për kuotat ushqimore për fëmijët jetimë që trajtohen në institucionet e përkujdesit social është përcaktuar në bazë të Udhëzimit 303 të datës 13.02.2007 të Ministrisë së Punës.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›