E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në Divjakë, digjen 150 ha ullishta

Autori i Lajmit: red.
Dhjetëra hektarë ullishta janë djegur në kodrat e Divjakës. Zjarri si fillim ka nisur në fshatin Shënepremte për t u përhapur më pas me shpejtësi në kodrat përreth ku dhe vazhdon ende të djegë pemët e ullinjve dhe bimësinë përreth. Burime nga policia bënë të ditur se zjarri që ka nisur pasditen e djeshme në fshatin Shënepremte është favorizuar nga erërat dhe temperaturat e larta dhe ka përfshirë ullishtat në kodrat e fshatit duke alarmuar banorët e zonës. Ata janë përpjekur që, me mjete rrethanore, të shuajnë flakët, por zjarri që ende vazhdon është përhapur dhe ka rrezikuar dhe jetët e tyre. Menjëherë janë lajmëruar policia dhe zjarrfikëset, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje. Sipas të njëjtave burime mësohet se se zjarri është vënë nën kontroll në orët e vona të mbrëmjes. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe është vënë nga një banor i zonës. Ndërsa flakët ende vazhdojnë të djegin ullishtat e kodrave të Divjakës, policia ka avancuar me hetimet e saj dhe ka shoqëruar si shkaktar të vënies së zjarrit një fshatar të fshatit Shënepremte. Efektivët dyshojnë se fshatari e ka ndezur zjarrin që të hapë kullota të reja.
Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›