E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, miratohet linja energjetike nënujore 400 kv

Autori i Lajmit: red.
Italia ka miratuar ndërtimin e një linje energjetike nënujore 400 kilovolt me Shqipërinë, për të rritur kështu importin e energjisë. Lajmi u bë i ditur nga ministri italian për Zhvillimin Ekonomik, Klaudio Skajola, i cili u shpreh se është firmosur një marrëveshje që autorizonte grupin energjetik italian “Moncada”, për të ndërtuar dhe menaxhuar një linjë të re energjetike për importimin e energjisë nga Shqipëria dhe Evropa Lindore.
“Po përshpejtojmë procedurat për realizimin e një infrastrukture të re energjetike, për të garantuar furnizim të sigurt me energji elektrike si dhe për të zgjeruar gjeografinë e investimeve italiane”, - tha Skajola në një prononcim publik. Linja e re do të ketë një kapacitet prej 500 megavat dhe do të lidhë portin jugor italian të Brindizit me Vlorën. Gjatësia e saj do të jetë në total 155 kilometra. Grupi energjetik “Moncada” bëri të ditur në janar planet për ndërtimin e një linje energjetike edhe me Tunizinë. Italia mbulon rreth 12 deri në 14 për qind të nevojave për energji nëpërmjet importit që, më së shumti, vjen nga Franca.

Ky lajm është publikuar: 19/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›