Prindërit: Zhvarrosni djalin, e vranë mësuesit në shkollë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Prindërit e gjimnazistit të Bilishtit, Mikel Ajçe, i cili u vetëvar më 21 shkurt të vitit të kaluar i kërkojnë gjykatës zhvarrosjen e djalit të tyre. Ata akuzojnë ish–drejtorin Fredi Mulla, ish–nëndrejtorin, Ferdinand Voci dhe mësuesin Vladimir Kello të shkollës së mesme “Fuat Babani” se kanë dhunuar djalin e tyre 17 vjeç derisa ai iu ka mbetur në dorë. Më pas, në bashkëpunim ata kanë inskenuar vetëvarjen. Babai i viktimës, Halim Ajçe u shpreh dje në Gjykatën e Apelit se djali i tij nuk kishte asnjë shenjë vetëvarjeje në qafë.
Z.Ajçe, përse i jeni drejtuar Gjykatës së Apelit?
Më kanë vrarë djalin brenda në shkollën e Bilishtit. Vrasësit janë drejtori, nëndrejtori dhe një mësues. Ata e kanë goditur me shqelma dhe kur iu mbeti në dorë inskenuan vetëvarjen e tij. Dokumentet u plotësuan sipas dëshirës së tyre, por tani dëshmitarët okularë kanë filluar të flasin.
Kush ju ka folur ju?
Kur është goditur në korridorin e shkollës kanë qenë edhe nxënës të tjerë. Dy prej tyre më kanë treguar, por ata mund të dëshmojnë vetëm nëse shteti iu siguron jetën pasi kanë frikë.
Sipas jush, pse e vranë mësuesit djalin tuaj?
Fillimi ka qenë një sherr në një lokal që i kishte ndodhur tre muaj para se të vdiste djalit tim me djalin e xhaxhait të gruas së drejtorit. Më pas, njerëzit e saj i kishin kërkuar drejtorit Fredi Mulla që të hakmerrej dhe ta përjashtonte. Por para se ta dëbonte nga shkolla ai donte ta rrihte. Mbase nuk e mendoi që tërë ai djalë do t’i mbetej në dorë.
Po në polici i ke denoncuar?
Takova shefin e Komisariatit dhe bisedova. Unë kisha një djalë shumë inteligjent, dy metra të gjatë, 95 kilogramë, rekordmen në sportin e ngritjes së peshave, shumë të dashur me njerëzit dhe mesatar në mësime. Vazhdonte vitin e tretë të gjimnazit. Kurrë nuk më kishin thirrur në shkollë për sjellje të keqe të tij.
Çfarë prova keni siguruar ju që vërteton versionin e vrasjes?
Janë dy nxënësit dëshmitarë. Po ka edhe të tjera që prokuroria duhet t’i sigurojë. Trupi i djalit është balsamosur dhe ende nuk është tretur. Unë dua që ta zhvarrosin dhe të shihet se rreth qafës nuk ka vragë të litarit. Këtë e pashë që në momentin që e vesha në morg, por mjeku ligjor nuk më ktheu përgjigje kur e pyeta. Litarin që iu “gjet” në qafë e kam në shtëpi, nuk ka gjurmë gjaku. Në akt-ekspertizë thuhet se ka pasur një vrimë të zezë në fund të barkut. Kur i pyeta për të më thanë se kishin filluar t’i kalbeshin zorrët. Djali kishte 24 orë pa ngrënë dhe temperaturat ishin disa gradë nën zero se ishte 20 shkurt, si u prish kufoma brenda 12 orësh. Të gjitha këto janë të fotografuara, por asnjëherë nuk mu dhanë që t’i shikoja. Edhe Prokurorisë së Apelit i janë dhënë vetëm fotokopjet e fotografive.
Çfarë mund të mësonit ju prej atyre fotografive?
Gjithë ato prova që thashë më sipër janë të fiksuara në ato fotografi. Ekspertët duhet të vlerësojnë nëse djali ka vërtet vragë litari apo jo në qafë. Familja ime dhe rreth 3 mijë banorë që erdhën në ditën e varrimit nuk e panë atë vragë. Kjo e hedh poshtë versionin e vetëvarjes së tim biri. Konkluzionet e arritura nga mjeku ligjor ishin krejtësisht të kundërta me ato që dëshmonte vetë trupi i pajetë i djalit tim.
Djali juaj kishte lënë edhe një letër pranë çantës së shkollës që iu gjend poshtë pemës?
Kështu më thanë, por nuk ma treguan asnjëherë. Unë nuk e di se çfarë më shkruante djali në të. Nuk e besoj se është shkruar nga vetë ai po s’e pashë atë letër dhe po nuk u krye akt-ekspertiza në Tiranë. Të rihapen hetimet, të zhvarroset djali në prani të ekspertëve të paanshëm dhe do të shihni se si qëndron e vërteta.
Ku janë sot të akuzuarit tuaj?
Drejtori u transferua me rritje në detyrë nga qeveria, nëndrejtori u bë drejtor shkolle, ndërsa mësuesi vazhdon punën normalisht.
Çfarë u tha sot (dje) në seancën gjyqësore?
Kërkojnë prova për të vërtetuar vrasjen. U thashë se vetë djali im i vdekur po ta hapin do t’ua japë provat që kërkojnë, u thashë edhe për dy nxënësit që kanë parë ngjarjen, por që kanë frikë të dëshmojnë.
Protesta e nxënësve
Me gjithë këmbënguljen e mësuesve të shkollës së Bilishtit, prindërit e gjimnazistit nuk i lejuan ata të merrnin pjesë në varrim. Sipas prindërve të 17-vjeçarit, 700 nxënësit e shkollës bënë barrikadë me trupat e tyre, duke mos lejuar që asnjë mësues të merrte pjesë në varrim dhe ditën pas varrimit ata sërish protestuan, duke mos pranuar të hynin në mësim