E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prinz pensionohet nga futbolli

Nga Express më 12 gusht 2011 në ora 21:40

Ish-kapitenia e Gjermanisë, Birgit Prinz është pensionuar nga futbolli i femrave, të premten, duke i dhënë fund karrierës së saj gjatë së cilës fitoi dy kampionate botërore dhe pesë tituj evropianë.

33 vjeçarja Prinz ishte tërhequr nga ekipi kombëtar pas eliminimit të Gjermanisë si nikoqir nga Japonia, në çerekfinale të Kampionatit botëror, muajin e kaluar.

“Ka ardhur koha për mua që pas 25 viteve të përfundoj karrierën time si futbolliste aktive”, tha Prinz, e cila kishte kontrate me klubin FFC Frankfurt nga viti 2002.

“Ky nuk është një vendim i lehtë për mua, sepse futbolli ka qenë gjithmonë pasion i madh i imi. Por, tani ndihem se është koha e duhur”, shtoi ajo.

Prinz u bë simbol i futbollit gjerman të femrave duke bërë 214 paraqitje ndërkombëtare, shënoi 128 gola dhe udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Kampionatin botëror 2003 dhe 2007.

Ngjashëm me yllin amerikan, Mia Hamm, Prinz u bë e famshme në futbollin e femrave që shumëkush e kishte përshkruar si “shaka”.

Megjithatë, Prinz dështoi të paraqitet në shkallën e saj më të mirë gjatë garës së këtij viti, në Gjermani, dhe në fillim ishte rezerviste, duke zgjuar spekulime se mund të largohej nga futbolli.

Tri herë futbollistja më e mirë e vitit në botë – 2003, 2004, 2005 – humbi titullin e saj nga ylli brazilian, Mata. Prinz dhe Mata janë të barazuara me më së shumti gola në kampionate botërore, nga 14 secila.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›