James, optimist për zgjidhje në NBA

Ylli i Miami Heat, LeBron James mbetet optimist se sezoni 2011-2012 në NBA do të zhvillohet pavarësisht pesimizmit të shtuar të unionit të basketbollistëve.
Në komentet e tij që ua dha gazetarëve në Tajvan, të premten, James theksoi se është duke u përgatitur për edicionin e ri.
“Tani jam duke punuar për sezonin e ri në NBA, besoj se do të zhvillohet dhe shpresoj që palët të arrijnë marrëveshje mes vete”, tha ai.
Basketbollistët janë në lokaut total nga 1 korriku, derisa vazhdojnë bisedimet rreth marrëveshjes së re për pagë dhe kushte.
Palët janë të ndara në çështjet përfshirë distribuimin e të hyrave dhe imponimin e kufizimit në pagë.
Javën e kaluar, shefi i unionit të basketbollistëve, Billy Hunter tha se ishte në dyshim për zhvillimin e sezonit 2011-12.
James është në turne dyditore promocionale në Tajvan.