Farruku: Tërbuni meriton kategorinë e parë
Trajneri i pukjanëve, Dali Farruku, flet për fazën seleksionuese, përforcimet dhe objektivin e sezonit të ardhshëm
Nga ERJON SALIU
Ka më shumë se një muaj që matjani Dali Farruku është “graduar” nga presidenti Petrit Syla si trajner i Tërbunit. Eksperienca që ai ka pasur në drejtimin e Burrelit, duke nxjerrë edhe disa futbollistë cilësorë, bënë që presidenca e Tërbunit tia besonte pikërisht këtij trajneri drejtimin e ekipit.
Në një prononcim dhënë enkas për “Sportin shqiptar”, trajneri Dali Farruku thekson mes të tjerash se Tërbuni është kandidati numër 1 për t’u ngjitur në kategorinë e parë.
“E pranova me kënaqësi ftesën e presidentit Petrit Syla për të drejtuar Tërbunin. Puka është një qytet futbolldashës dhe me kulturë qytetare, ndaj do të vë në shërbim të ekipit të saj gjithë aftësitë e mia profesionale. Do të bëj më të mirën, që Tërbuni të ngjitet në kategorinë e parë.
E kemi nisur gjithçka nga zeroja, bashkë me presidentin Petrit Syla, dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë, ndërkohë që presim të tjerë lojtarë për t’u kompletuar. Tërbuni i ka nisur përgatitjet më herët, jo vetëm se ekipet e kategorisë së dytë, por edhe të së parës.
Jam i bindur se me blerjet që do të bëjmë, mbështetjen e tifozëve dhe të presidentit, por edhe donatorëve e bashkisë, do ta rikthejmë Tërbunin aty ku e meriton, – u shpreh trajneri i Tërbunit Dali Farruku.
Seleksionimet – Natyrisht që ka qenë faza më e nxehtë dhe më e lodhshme. Jemi në fund të këtij procesi. U kemi bërë thirrje futbollistëve pukjanë, sepse dëshira e presidentit ishte që ky ekip të kishte sa më shumë vendës.
Por, deri më tani, kemi mbajtur vetëm dy futbollistë, të cilët treguan cilësi dhe u përgjigjen objektivave që ne kemi. Ndërsa të tjerër nuk kanë bindur, edhe pse ua kemi dhënë mundësinë dhe i kemi parë në stërvitje për një javë.
Tërbuni këtë sezon do të ketë në përbërje lojtarë cilësorë, të cilët kanë luajtur edhe në superligë.”
Merkatoja – Deri më tani jam i këanqur me afrimet që ka bërë presidenti. Çdo gjë është bërë me miratimin tim. Kam dorë të lirë dhe qëllimi dhe motoja jonë është:
“Punë dhe djersë në stërvitje për të shkuar te suksesi. Nuk jam partizan i emrave apo “gjeneralëve”. Në fushë, sa të jem unë trajner i Tërbunit, do të kenë vend vetëm lojtarët që e meritojnë dhe që sakrifikojnë për fanellën, e ka mbyllur prononcimin e tij trajneri i pukjanëve, Dali Farruku.