E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia, parkime me pagesë

26/05/2005  Ja ndarja zonale e Tiranës dhe tarifat e vendosura nga Bashkia për secilën zonë

Në fund të këtij viti pritet të aplikohen parkimet me pagesë

Kryetari i Bashkisë lajmëroi se po bëjnë zonifikimin e Tiranës për parkimet. “Jemi në fazën që po shkojmë drejt përfundimit të sistemit të parkimeve në projektet tona dhe shpresojmë që në fund të këtij viti të fillojmë me implementimin e tarifës së parkimit dhe po ashtu edhe iniciativa të tjera”, tha Kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Ai tha se për të shpjeguar transportin urban në Tiranë, në kushtet e trafikut, të infrastrukturës, ka një domosdoshmëri shumë të madhe për të rritur vetëdijen e qytetarit për respektimin e rregullave të qarkullimit, duke nënkuptuar qytetarin e pagjobitshëm, për këmbësorin. Për këtë arsye duhet të bëhet një fushatë e madhe edukimi, sepse roli i këmbësorit në një trafik të përmirësuar është një rol themelor.

Pagesat

Të gjitha subjektet që kanë në përdorim autovetura shtetërore apo private, do t’i paguajnë Bashkisë së Tiranës një tarifë parkimi më të lartë se ajo e një viti më parë. Nëpërmjet një kuponi apo bilete të veçantë, të vendosur te makina në të gjitha vendparkimet publike me pagesë, të gjithë do të mund të paguajnë për kohën që kanë parkuar aty.

Zona A

Për një orë parkim në qendër të qytetit (Zona A) detyrimi ndaj subjekteve dhjetëfishohet, duke shkuar nga 10 lekë në 100 lekë. Ndryshimet e bëra në drejtim të kësaj tarife vendore erdhën si rezultat i aplikimit të politikave të reja për mbledhjen e të ardhurave nëpërmjet zonifikimit të qytetit me tarifa të diferencuara parkimi. Kështu, miratimi i paketës së re fiskale “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” për vitin 2005, sjell aplikimin e tarifave të diferencuara të parkimit për autoveturat shtetërore dhe private, ndarë sipas tri zonave të qytetit në tre nivele. Përpara këtyre ndryshimeve kjo tarifë ka qenë 10 lekë/orë dhe uniforme në të gjithë qytetin. Konkretisht, në Zonën A tarifa e parkimit të automjeteve do të jetë 100 lekë/orë. Në këtë zonë përfshihen qendra e Tiranës dhe një pjesë e rrjetit rrugor, ku zhvillon aktivitetitn e saj administrata publike qendrore dhe rajonale. Gjithashtu, në këtë zonë hyjnë akset rrugore ku janë të vendosura institucionet kulturore dhe artistike, bankat e ndryshme, qendrat kryesore të biznesit etj.

Zona B

Në Zonën B tarifa e parkimit shkon 40 lekë/orë. Bëhet fjalë për atë pjesë të qytetit, ku kryesisht mbizotëron tregtia e nivelit mesatar, për efekt të qarkullimit komercial. Këtu qëndrimi i mjeteve në parkim, normalisht, sipas standardeve evropiane, zgjat 1-3 orë. Afati i qëndrimit në këtë zonë përcaktohet nga nevojat e klientëve dhe kostoja e biletës në funksion të kohës së qëndrimit është plotësisht në varësi të tyre.

Zona C

Ndërkohë, tarifa e parkimit të automjeteve shtetërore dhe private në Zonën C, do të jetë 20 lekë/orë. Zona C konsiderohet si zonë në zhvillim, ku rrjeti rrugor kryesor është i distancuar nga njëri-tjetri. Në këto kushte okupimi i rrugëve sekondare për parkim shfrytëzohet kryesisht nga banorët, ndaj edhe kjo është një zonë me tarifë të ulët.

Parkim i rezervuar për muaj të tërë

Ndërkohë për subjektet që kërkojnë parkim të rezervuar pranë institucioneve të tyre publike ose private, tarifa përllogaritet duke shumëzuar vlerën sipas zonës së parkimit me koeficientin 0,7 për rezervim 6-mujor dhe koeficientin 0,5 për rezervim 12-mujor. Mbledhja e kësaj tarife do të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë së Tiranës, e cila bën edhe llogaritjen e detyrimit dhe ndjek pagesat e tarifës së parkimit, pasi subjekti të ketë marrë lejen përkatëse nga Drejtoria e Transportit në këtë bashki.

Zona A

Qendra

Nga 10 lekë ora në 100 lekë ora

Zona B

Zonat tregtare

40 lekë ora

Zona C

Zonat periferike

20 lekë ora

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›