E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qendër kontrolli për trafikun

26/05/2005  Tiranë, vendosen semaforë në 43 kryqëzime, së shpejti do të vihen dhe 10 të tjerë

Në Tiranë janë 43 kryqëzime me semaforë, ndërkohë që ky numër do të shkojë në 53. Dhe më e rëndësishmja, do të nisë puna për krijimin e qendrës së kontrollit të trafikut me të cilën do të lidhen aparaturat. Ideja e këtij simpoziumi u mbështet në një projekt të filluar dy vite më parë, mes INTRALBAN dhe Bashkisë së Tiranës “Për pajisjen dhe instalimin e sinjalistikës”, i cili është konceptuar në tri faza. Pas përfundimit të dy fazave të para, të cilat realizuan pajimin e 53 kryqëzimeve të kryeqytetit me semaforë dhe që arrijnë vlerën 970 milionë lekë, pritet që së shpejti të nisë faza e tretë, e cila do të përfshijë lidhjen e aparaturave dhe krijimin e qendrës së kontrollit të trafikut. “Planifikimi i transportit për të ardhmen e qyteteve” ishte simpoziumi i organizuar nga Bashkia e Tiranës, sponsorizuar nga INTRALBAN/SIEMENS. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë këtij simpoziumi u shpreh: “Dëshiroj të theksoj këtu, se vetëm pak vjet më parë, në Tiranë, nuk kishte asnjë semafor. Edhe ato shtylla semaforësh që kishin mbetur dukeshin si eshtrat në gërmimet arkeologjike, ashtu sikundër do të ishte mirë të kujtoja sot, që 5 vjet më parë në Tiranë, funksiononin vetëm 75 llamba natën. Sot ne kemi 43 kryqëzime me semaforë dhe jemi duke kompletuar sistemin me 53 kryqëzime, të cilat do të jenë pjesë e një rrjeti të integruar me një qendër të vetme kontrolli”.

Semaforët dhe qendra e kontrollit

Sipas tij, falë ngritjes së këtij sistemi të integruar, i cili nënkupton jo vetëm një qendër kontrolli për të pasur në punë të gjitha kryqëzimet, por nënkupton një qendër kontrolli që krijon një arkiv të fluksit të lëvizjeve, duke na dhënë mundësinë të kemi të dhëna statistikore dhe në bazë të këtyre të dhënave statistikore.

Makinat i përdorin si shina vijat e bardha

Bashkia ka nisur të bëjë vijëzimet e rrugëve, duke futur “në krizë” praktikisht, një nga kompanitë më të mëdha në Evropë, që merret me vijëzimin e rrugëve, e cila bashkëpunon me kompaninë shqiptare që bën këtë vijëzim, duke sjellë bojë të cilësisë së parë dhe të provuar në qytetet më të vështira dhe njëkohësisht duke u përballur në Shqipëri me një dështim. “Ekspertët e kompanisë gjermane që bëjnë vijat, janë të mahnitur se si shoferët ecin mbi vija dhe thonë se është i vetmi vend, ku vijat shërbejnë si shina. Dhe duke ecur të gjithë shoferët mbi vija, vijat konsumohen shumë më shpejt dhe gjithë ajo ndotja e gomave kalon te boja”, thotë Rama. Megjithatë, për Tiranën, në mënyrë specifike po përgatitet një bojë e veçantë për të përballuar këtë lloj shoferi të panjohur në gjithë Evropën Perëndimore dhe Lindore. “Boja e veçantë do të vijë në muajt në vijim dhe do të eksperimentohet. Ekspertët gjermanë janë të bindur se do të japë sukses dhe se lufta e përditshme e shoferëve me vijat do të përfundojë në favor të vijave”, thotë Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›