Nokia Siemens Networks,rrjet të ri për shërbimet
• Shërbimi i internetit do të jetë më cilësor. Kompania Albtelekom ka përzgjedhur “Nokia Siemens Networks” për të ndërtuar rrjetin e gjeneratës tjetër në një lëvizje për të ofruar shërbime me bandë të gjerë për abonentët e tij.Në sajë të teknologjisë së re që sjell akses broadband në internet, Albtelekom shpreson të rrisë gradualisht numrin dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara për më pak se një milion klientë aktualë dhe për të tërhequr mijëra të rinj. “Albtelekom ka zgjedhur ‘Nokia Siemens Networks’ në sajë të njohurive që zotëron në fushën e zgjidhjeve të rrjeteve të gjeneratës tjetër (Next Generation Network) si dhe bazuar në bashkëpunimin afatgjatë, veçanërisht në fushën e pajisjeve switches dhe multiplexing”, tha Ercan Agir, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Albtelekom. Bazuar në kontratën e nënshkruar rishtazi, “Nokia Siemens Networks” do t’i sjellë Albtelekomit një zgjidhje eficente dhe kosto efektive për një rrjet të konsoliduar dhe të modernizuar, që do të ofrojë akses broadband dhe shërbime të cilësisë së lartë me zë, i cili ka mundësinë të përballojë me sukses telefoninë tradicionale, pikat e thjeshta të aksesit dhe rrjetet dixhitale me transferim qarku.