Rinisin reshjet e shiut dhe të dëborës në zonat e thella

Kukës
Rritet rreziku i shtimit të prurjeve në basenet e hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Probleme në qarkullimin e automjeteve në rrugët e zonës
Flutura Tota
KUKëS - Rajoni i Kukësit gjatë 24 orëve të fundit është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, si dhe ato të dëborës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit, çka pritet të shtojë prurjet në liqenet e hidrocentraleve që ndodhen në kaskadën e Drinit. Ndërkaq, problemet e para janë shënuar në infrastrukturën rrugore, sidomos në atë rurale. Po kështu edhe në atë kombëtare Kukës – Qafë-Shllak, por lëvizja e automjeteve ka vijuar pa probleme të mëdha.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga meteorologët, rajonin e Kukësit e kanë shoqëruar reshjet e shiut, të cilat kanë qenë më të dendura gjatë natës e që kanë sjellë jo pak probleme në rrugët që lidhin Kukësin me zonat rurale dhe aksin Kukës – Qafë-Shllak. Në gjithë rajonin e Kukësit gjatë natës midis të hënës dhe të martës ka pasur reshje të dobëta shiu dhe reshje dëbore, kryesisht në zonat subalpine. Shërbimi sinoptik i forcave ajrore deri në mesditë ka shënuar 6 mm shi, ndërsa ka njoftuar se reshje do të ketë edhe gjatë 24 orëve të ardhshme. Temperaturat kanë qenë të ulëta dhe gjatë ditës së sotme pritet që të bien sërish.
Sipas drejtorit rajonal të Rrugëve në Kukës, në orët e vona të natës janë shënuar rrëshqitje dherash nëpër disa segmente rrugore, për të cilat kanë punuar mjete të posaçme për largimin e dheut apo inerteve nga trasetë e rrugëve. Kështu, në segmentin më të rëndësishëm nacional janë shënuar shembje të skarpateve të rrugës, gjë që ka sjellë bllokimin e lëvizjes së automjeteve edhe, pse jo, në një interval të gjatë kohor. Kjo ka ndodhur në zonat e Kalimashit, Shënmrisë, në Qafë-Shllak dhe në pika të tjera, të cilat janë mjaft të vështira për t’u përshkuar. E njëjta situatë është paraqitur dhe në segmentin Kukës-Shishtavec në të cilin dherat kanë dalë në pjesën e trasesë dhe për largimin e tyre është dashur ndërhyrja e një fadrome, e cila ka bërë të mundur largimin e inerteve. Siç tregon një drejtues automjeti, kjo rrugë është shfaqur problematike në orët e mëngjesit dhe më pas ajo është normalizuar. “Unë tani sapo erdha nga Zapodi dhe të them të drejtën, rruga është keq. Ka shumë gurë, të cilët kanë rënë në rrugë dhe në vende të caktuara të ndërpresin edhe udhëtimin. Jemi munduar fillimisht vetë që t’i largojmë e më pas kemi njoftuar Drejtorinë e Rrugëve, e cila ka ardhur dhe e ka hequr dheun dhe gurët nga rruga. Por gjendja e rrugëve tona është katastrofike dhe për to vështirë të bëhet gjë”. Ndërsa një tjetër shofer, i cili çdo ditë përshkon aksin Kukës-Peshkopi, thotë se traseja e rrugës ka shfaqur mjaft probleme, sidomos sa u takon këtyre ditëve, ku reshjet e shiut kanë qenë të shumta në atë zonë dhe dëbora ka shkrirë. “Si të fillosh nga Bushtrica e deri në Peshkopi rruga është keq fare. Veç gropave tani na janë shtuar edhe gurët dhe dherat, të cilët i kemi në çdo pëllëmbë. Do Zoti e nuk na ndodh ndonjë aksident, se lagështira e ka bërë punën e saj. Këto ditë që ka shkrirë dëbora dhe ka rënë shi, situata e rrugës është përkeqësuar goxha”. Kjo situatë sipas Rushit Gashit, drejtor i Ndërmarrjes së Rrugëve Kukës, është shënuar gjatë 24 orëve të fundit dhe pas njoftimit të bërë janë nisur drejt çdo aksi mjetet e duhura. Kemi pasur disa probleme në rrugë të shumta, por kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme për stabilizimin e situatës. Mund të them se asnjëra rrugë nuk është e bllokuar për lëvizjen e automjeteve, por probleme ka”, vijon më pas ai. Ndërkohë, në aksin Qafë-Mali-Fierzë vijon të qëndrojë një fadromë, e cila bën të mundur mbajtjen nën kontroll të rrugës, pasi atje rrëshqitjet e dherave janë të shumta, kryesisht në fshatin Dardhë, ku ka pasur shembje të skarpateve dhe rënie gurësh. Për momentin probleme të mëdha paraqesin rrugët rurale të fshatrave të thellë, si Grykë-çajë, Kalis, Zapod, Arrën, Surroj, Shënmri, Topojan, Shishtavec etj. Ndërkohë, burime pranë Shtabit të Emergjencave Civile në Kukës bëhet e ditur se me të gjitha zonat problematike po mbahet kontakt i vazhdueshëm dhe se janë porositur të gjithë drejtuesit e njësive vendore që të raportojnë për çdo rast emergjent, në mënyrë që ndërhyrja të jetë e menjëhershme.
Korçë
Dëbora dhe i ftohti polar “mësyjnë” juglindjen
Situata
Më shumë se 3 mijë banorë gjenden të bllokuar nga i ftohti polar, ndërsa nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje e porsarishfaqur. Sasia e dëborës e rënë gjatë natës së kaluar ka krijuar probleme në akset kombëtare, por edhe aty dytësore në Qarkun e Korçës
KORçë - Dimri i ftohtë i këtyre ditëve ka rikthyer rrugët e bllokuar dhe disa fshatra të izoluar krejtësisht në Qarkun e Korçës. Më shumë se 3 mijë banorë gjenden të bllokuar nga i ftohti polar, ndërsa nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje e porsarishfaqur. Sasia e dëborës e rënë gjatë natës së kaluar ka krijuar probleme në akset kombëtare, por dhe aty dytësore në qarkun e Korçës. Burimet zyrtare të Shtabit të Emergjencave Civile pranë institucionit të prefektit bëjnë të ditur për gazetën, se sasia e reshjeve ka kaluar të 30 centimetrat, ndërkohë që raportohet për një zonë me disa fshatra të izoluar, në fshatrat e Vithkuqit. Kështu, gjatë së martës, aksi nacional Korçë-Ersekë në Qafën e Qarrit ka qenë fillimisht i bllokuar, ndërsa kalimi aktualisht bëhet vetëm me zinxhirë. Shtresa e dëborës në këtë segment dhe konkretisht në disa kilometra të Qafës së Qarrit është tejet i vështirë, duke krijuar probleme në qarkullimin normal të mjeteve. Disa dhjetëra tonë kripë dhe skorie janë hedhur gjatë orëve të paradites së të martës, por nuk është bërë i mundur zhbllokimi i plotë i këtij aksi.
Ndërkaq, rezulton të jetë i pakalueshëm segmenti Korçë-Dardhë në afro 5 kilometra të tij. Kështu, zona e Dardhës dhe Arzës janë të izoluara nga dëbora, ndërsa pritet që në harkun e 24 orëve të hapen rrugët në këtë zonë, megjithëse reshjet e dëborës vazhdojë të bien me intensitet të lartë. Gjithashtu, duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare, edhe aksi Korçë-Vikthkuq në Rrethin e Korçës, është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Në këtë aks nuk është punuar aspak gjatë të martës, megjithëse trashësia e dëborës është e konsiderueshme. Banorët e kësaj zone të njohur turistike i kanë ndërprerë lëvizjet drejt kryeqendrës së juglindjes nga frika e izolimit në rrugë, por mund të udhëtojnë në këtë segment me mjete që janë të pajisura vetëm më zinxhirë, në të kundërt jeta e tyre rrezikohet së tepërmi. Më serioze paraqitet gjendja në fshatrat Panarit, Grabockë, Orgockë, Shtyllë etj., pjesë e komunës së Vithkuqit, banorët e të cilëve rezultojnë të jenë izoluar nga moti i ftohtë me reshje dëbore, duke humbur çdo komunikim në 48 orët e fundit, të cilat janë dhe më të ftohtat e kësaj stine dimri në Korçë. Akset Korçë-Kapshticë dhe Korçë-Qafë-Thanë nuk kanë pasur probleme, pavarësisht nga reshjet, të cilat nuk kanë munguar edhe këtu.
Irena Vreto
Gjirokastër
Fushatë ndihmash për familjet e përmbytura
GJIROKASTëR - Institucionet publike, organizmat e ndryshëm, biznesi, komuniteti i banorëve etj., në Qarkun e Gjirokastrës, kanë iniciuar nisma të ndryshme për mbledhjen e ndihmave materiale dhe financiare në mbështetje të familjeve të përmbytura në veri të vendit. Efektivat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Policisë Kufitare kanë kontribuar me shuma financiare për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Mbështetje materiale dhe financiare për këto familje kanë dhënë edhe bizneset prodhues dhe tregtarë në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës. Pjesë e këtyre nismave janë bërë edhe institucionet publike, si Prefektura, Bashkia e Gjirokastrës etj., të cilët kanë kontribuar me ndihma financiare për familjet e dëmtuara nga përmbytjet.
B. Sh.