“Leka Zogu I, mbështetës i lirisë së shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës”
Ndarja nga jeta e pretendentit për Fronin Mbretëror Leka I, Kryeministri Sali Berisha zhvillon homazhe pranë rezidencës mbretërore
Kryeministri Sali Berisha së bashku me bashkëshorten zhvilluan dje në mbrëmje homazhe pranë rezidencës mbretërore në nderim të Leka Zogut të Parë. Berisha shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të Pretendentit të Fronit Mbretëror, ndërsa e vlerësoi atë për kontributin e dhënë për lirinë e shqiptarëve.
Sipas Kryeministrit, “Leka Zogu i Parë përfaqëson një jetë të tërë atdhedashurie të pakufishme dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm, në mbrojtje të lirisë së shqiptarëve, por dhe mbështetje të madhe për shqiptarët në Kosovë”. “I shpreh ngushëllime familjes Mbretërore. Vdekja e Leka Zogut të Parë është një humbje e madhe. Leka Zogu ka qenë mbështetës i lirisë së shqiptarëve. Nderim për kontributin e tij në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës. Sot shqiptarët janë të bashkuar për humbjen e Leka Zogut të Parë”, u shpreh Berisha, pas vizitës ngushëlluese te Familja Mbretërore.
“Mbreti u largua nga Shqipëria, por vazhdoi me vendosmëri të madhe luftën për çlirimin e Shqipërisë. Përpjekjet e Legalistëve, qëndresa e tyre që orët e para të pushtimit deri në ditën e fundit të çlirimit të vendit janë një faqe e ndritur atdhetarie, heroizmi dhe qëndrese”. theksoi Berisha.
Kreu i qeverisë, nënvizoi se pas luftës, ndryshe nga vendet e tjera që dolën nga pushtimi barbar nazifashist, të cilat i rikthyen kurorat mbretërore, ose shpallën referendumet në mënyrë që popujt të shpreheshin, kjo nuk ndodhi në Shqipëri. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u shpreh se në mënyrën më arbitrare një Kongres ndaloi monarkun e shqiptarëve të kthehej në vendin e vet, gjë e cila zgjati siç dihet, gjatë gjithë jetës së tij dhe mbreti vdiq në Paris.
“Paslufte në Shqipëri ndodhi ndryshe nga vendet e tjera që dolën nga pushtimi barbar nazifashist, të cilat kurorat i rikthyen ose shpallën referendume në mënyrë që populli të shprehej. Në mënyrën më arbitrare, një kongres ndaloi monarkun e shqiptarëve të kthehej në vendin e Tij, gjë e cila zgjati, siç dihet, gjatë gjithë jetës së Tij dhe Mbreti vdiq në Paris në vitin ‘61”, tha Berisha.
Duke i’u referuar referendumit të zhvilluar në Shqipëri për kthimin e monarkisë, Berisha tha se, shqiptarët janë dëshmitarë që ata shprehën masivisht qëndrimin e tyre në respekt të mbretit Leka dhe në favor të tij, por siç dihet ai referendum u mbajt në kushtet e një rebelimi të egër komunist dhe e vërteta është se nuk mund të thotë askush që rezultati është ai që u shpall.
“Më vonë, një referendum u bë dhe shqiptarët janë dëshmitarë, se ata shprehën masivisht qëndrimin e tyre në respekt të Mbretit Leka i Parë dhe në favor të tij, por, siç dihet, ai referendum u mbajt në kushte të një rebelimi të egër komunist. Dhe e vërteta është se askush nuk mund të thotë kurrë se rezultati ishte ai që u shpall. Kjo çështje nuk është e mbyllur. Unë i them të vërtetat ashtu siç janë, nuk mund të them gjë tjetër. Unë i them të vërtetat ashtu siç i perceptoj dhe siç kanë ndodhur. Kjo është detyra ime”.
Duke komentuar heshtjen e opozitës për ndarjen nga jeta të Pretendentit për Fronin Mbretëror Leka i Parë si dhe akuzat ndaj qeverisë lidhur me organizimin e ceremonisë funebre shtetërore, Berisha tha se parlamenti ka njohur statusin e Familjes Mbretërore, përmes ligjit të votuar nga deputetët shqiptarë, duke rivendosur një të drejtë historike. “Unë nuk dua t’i jap asnjë karakter partiak. Ai ligj, i cili i ka dhënë dhe ka njohur statusin e Familjes Mbretërore është votuar në Parlament nga deputetë të të gjitha forcave politike. Kjo është e vërteta. Për të gjithë ata të cilët kanë votuar atë ligj dhe shqiptarët në tërësi e kanë shumë të qartë që Familjet Mbretërore përbëhen nga Mbretërit, Mbretëreshat, Princërit, Princeshat, e kështu me radhë. Kjo është e vërtetë për Familjen Mbretërore shqiptare dhe Parlamenti ka rivendosur një të drejtë historike, duke përcaktuar me shumë të drejtë Protokollin Shtetëror dinjitoz, siç i përket Familjes Mbretërore. Nuk duhet të merremi me copëza të shkëputura, sepse kudo ka individë pro e kundër dhe kjo është normale. Unë di një gjë që shqiptarët, në të katër anët kudo që jetojnë, janë të bashkuar në dhembjen dhe zinë për humbjen e Mbretit Leka I. Këtë bashkim e kanë të bazuar në kontributet historike të Tij, të Mbretit Zog, Mbretëreshës Geraldinë, të Familjes Mbretërore”, tha më tej, kryeministri Berisha.