Thahen puset, Elbasani rrezikon furnizimin me ujë
Kompania që menaxhon Ujësjellësin ka parashikuar rritjen e çmimit të ujit. Kompania ‘Elber’ thirrje publike konsumatorëve ta kursejnë ujin e të mos e shpërdorojnë atë.
Elbasani rrezikon furnizimin me ujë për shkak të situatës së pazakontë hidrike të ndodhur gjatë këtij viti. Thatësira e tejzgjatur ka ndikuar në gjendjen e burimeve nënujore dhe puseve që ndodhen në periferi të këtij qyteti e që furnizojnë me ujë Elbasanin dhe periferitë e tij. Prej një jave Ndërmarrja e ujësjellësit në Elbasan ndodhet në vështirësi për furnizimin me ujë të banorëve. Nisur nga kjo gjendje, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Ardian Zhidro, i ka bërë thirrje publike konsumatorëve të ujit ta kursejnë e të mos e shpërdorojnë atë. “Thatësira e gjatë ka krijuar një situatë të pazakontë në puset e furnizimit me ujë të qytetit. Një gjendje e tillë nuk ka ndodhur prej 20 vitesh. Prej një jave ndodhemi në vështirësi, pasi puset nuk janë në gjendje të furnizojnë pompat që dërgojnë ujin në depozita. Nisur nga kjo situatë, ‘Elber’ ka parashikuar edhe kufizime të orareve të furnizimit me ujë të qytetit”, shprehet drejtori Zhidro.
‘Elber’ i ka bërë thirrje konsumatorëve që ta kursejnë ujin, në mënyrë që të furnizohen ritmikisht me ujë. “E vetmja mundësi e mirë për të mbajtur në gjendje normale furnizimin me ujë është kursimi dhe mosshpërdorimi i tij. Ndaj u kërkojmë konsumatorëve mirëkuptim e bashkëpunim në përballimin e gjendjes”.
Por telashet s’kanë të sosur për ndërmarrjen këtë stinë. Ndikim në furnizimin me ujë, sipas drejtorit Ardian Zhidro, ka luajtur edhe tensioni i ulët dhe dalja jashtë funksionit të disa pompave. “Disa nga pompat janë jashtë pune për shkak të tensionit të ulët. Kjo e rëndon akoma më shumë situatën. Megjithatë, ne po punojmë që pompat të jenë në gjendje pune”. Nga ana tjetër ‘Elber’, nisur nga çmimi i energjisë dhe kostoja e prodhimit të ujit, ka parashikuar një rritje të lehtë në fatura. “Jemi të detyruar ta ndërmarrim këtë hap, pasi kostoja e prodhimit të ujit është e lartë dhe se nuk mbulohen shpenzimet. Rritja është parashikuar të jetë 5% për të gjithë konsumatorët. Ndërkohë ‘Elber’ po vazhdon investimet për përmirësimin e furnizimit me ujë në të ardhmen. Kredia e dhënë nga KFV do ta ndihmojë qytetin që të ketë ujë 24 orë në të ardhmen”, ka përfunduar drejtori i Ujësjellësit. F.Salliu