Rrihte sistematikisht të shoqen, pranga 26 -vjeçarit
TIRANË- Dhunonte sistematikisht bashkëshorten, policia prangos 26-vjeçarin. Shkëlzen Bega është arrestuar dy ditë më parë nga policia e Tiranës pasi pas një konflikti me gruan e tij e ka goditur atë barbarisht me sende të forta. Burime nga policia thanë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në banesën e çiftit kur Bega pas një sherri për motive xhelozie me gruan e tij e ka rrahur atë duke e goditur me sende të forta. E dëmtuara ka denoncuar dhunën në polici. Kjo e fundit është vënë menjëherë në lëvizje duke vënë në pranga bashkëshortin dhunues. Burime nga policia bënë të ditur se Bega akuzohet për veprat penale të “Kanosjes”, “Plagosjes së lehtë me dashje”, “Shkaktimit të vetëvrasjes”, dhe “shtrëngimit ose pengimit për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesën”. Dhuna kronike
Ajo kishte tentuar të vriste veten, për t’i dhënë fund dhunës së bashkëshortit por ndihma e menjëhershme e kishte shpëtuar nga vdekja. Ndërsa kërcënohej dhe dhunohej sistematikisht, gruaja e re kishte vendosur dhe të divorcohej nga burri i saj por kjo gjë nuk është pranuar nga ky i fundit. 26-vjeçari Shkëlzen Bega jo vetëm që nuk ka pranuar të ndahet nga bashkëshortja e tij pas kërkesave të saj, por e keqtrajtonte atë. Të paktën kështu ka deklaruar në polici gruaja e të riut e cila dy ditë më parë ka vendosur t’i japë fund vuajtjeve duke kërkuar ndihmën e policisë. Burime nga policia thanë se Bega ishte xheloz për gruan e tij dhe shpesh herë debatonte me të për këtë arsye. Mbrëmjen e së enjtes, 26-vjeçari është kthyer në banesën e tij dhe ka nisur një sherr me gruan që sipas ka qenë për motive xhelozie. Pas fjalëve të ndërsjella ai e ka kanosur dhe më pas goditur me sende të forta duke i shkaktuar asaj plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Denoncimi
Për t’i dhënë fund dhunës kronike gruaja e re ka kërkuar ndihmën e policisë. Kjo e fundit, pasi ka regjistruar denoncimin e të dëmtuarës është vënë në lëvizje për të kryer shoqërimin e 26-vjeçarit Shkëlzen Bega. Specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, mundën të shoqëronin në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës 26-vjeçarin i cili pasi u mor në pyetje iu komunikua masa e arrestit për një sërë veprash penale. “Shkëlzen Bega dyshohet se ka dhunuar sistematikisht bashkëshorten e tij dhe nuk e ka lejuar atë të ndahet prej tij duke e kërcënuar vazhdimisht. Pas denoncimit të vajzës policia arrestoi burrin e saj” thanë për “Shekullin” burimet policore. “Arrestimi i Begës u bë pasitë enjten, rreth orës 21.00, pas një konflikti për motive xhelozie, ka goditur me sende të forta bashkëshorten. Nga veprimet e para hetimore, shtetësja e dëmtuar ka deklaruar se është keqtrajtuar në mënyrë sistematike nga bashkëshorti i saj si dhe është imponuar të bashkëjetojë me të duke e dhunuar fizikisht në mënyrë të përsëritur”,- thuhej në deklaratën zyrtare lëshuar ditën e djeshme nga policia e Tiranës.