Prishjet në bregdet që nga vitit 2001 janë kryer me financimin e Bankës Botërore

Studimi i ndërtimeve pa leje në bregdet ka qenë pjesë e një projekti afatgjatë të Bankës Botërore dhe me shtrirje të gjerë gjeografike. Partia Socialiste shqetësohet për 420 banesat pa leje, të rrëzuara me vendim të organizmave ndërkombëtare, dhe jo për qindra banesat e kryeqytetit, të shembura nga Edvini, edhe pse ato kanë qenë në proces legalizimi
TIRANE -– Kanë qenë vetëm dy kërkesa nga banorë të Jalës, nga mbi 400 ndërtime pa leje që janë prishur që nga viti 2001 përgjatë bregdetit shqiptar, që kanë detyruar një klan brenda Bankës Botërore të fokusohet vetëm te ky fshat, ndërkohë që procesi i financuar nga ky organizëm, daton në kohë shumë më i hershëm, sikurse përfshin edhe një sipërfaqe shumë më të madhe gjeografike.
Përballë një situate të tillë disavjeçare dhe e shtrirë në një territor gjeografik, shumë më të madh nga dy shtëpitë e fshatit Jalë, mësohet se Zyra shqiptare e Koordinimit të Projektit thjesht ka zbatuar detyrën nga Banka Botërore, sipas edhe një projekti të financuar nga ajo vetë, duke dorëzuar fotot ajrore pa përmendur as fjalën Jalë e as fjalën prishje. Sipas këtij projekti, ka qenë po Banka Botërore që ka financuar edhe blerjen e pajisjeve dhe mjeteve në ndihmë të policisë ndërtimore, për prishjen e objekteve pa leje përgjatë bregdetit shqiptar.
Nga ana tjetër, për t’u kujtuar është fakti që qeveria shqiptare ka shpjeguar që prishjet e ndërtimeve të paligjshme janë të vazhdueshme si mënyrë e kontrollit të territorit dhe palët e interesuara mund ta çojnë çështjen në gjyq nëse kërkojnë kompensim.
Ndërkohë, mësohet se vija bregdetare është përjashtuar nga ligji dhe procesi i legalizimeve.
Prishjet e ndërtimeve, me dijeninë e BB-së
Prishjet e ndërtimeve përgjatë bregdetit shqiptar, si pjesë një projekti të financuar nga Banka Botërore, kanë filluar që në vitin 2001. Një fakt të tillë e zbulojnë burime të filialit të Bankës Botërore në Shqipëri. Sipas të njëjtave burime, duke ju referuar edhe statistikave të Bankës Botërore, mësohet se që nga viti 2004, përgjatë këtij bregdetit janë prishur rreth 420 ndërtime, të konsideruara pa leje. Jo vetëm kaq, por Banka Botërore, mësohet se ka financuar edhe blerjen e disa mjeteve e pajisjeve për policinë ndërtimore, në funksion të ndihmesës për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë bregdetit të jugut. Lidhur me këtë fakt, burime të Bankës Botërore, sqarojnë më tej se, në dokumentin zyrtar të saj (“Aide Memoire”) të vitit 2004, vetë Banka Botërore shkruan: “të vijojnë prishjet e ndërtimeve të paligjshme” (fuqizim shtetit ligjor) dhe në përgatitje të projektit futen dhe 'strengthening enforcement capacity' dhe përfshin në plan-prokurimi blerje pajisjesh (kompjutera, aparate fotografike dixhitale, etj.), për policinë ndërtimore.
Me pas në vitin 2006 dhe 2007, Banka Botërore shënon në dokumentin e saj zyrtar (“Aide Memoire”) kryerjen e fotografimit ajror dhe dhënien e fotografive ajrore policisë së ndërtimit, për të kontrolluar zonën nga ndërtimet e paligjshme.
Prishen 420 ndërtime, vetëm 2 ankesa te BB-ja
Burime të njëjta të Bankës Botërore, sqarojnë më tej se, kanë qenë vetëm 2 kërkesa nga Jala, të cilat bënë që ky organizëm të fokusohej te ky fshat, ndërsa prishjet janë kryer në gjithë bregun qysh në vitin 2001.
Për më tepër, të njëjta burime të Bankës Botërore, saktësojnë se, në vitin 2004 ka evidenca që janë prishur 210 ndërtime të paligjshme në zonën e bregdetit të Jugut, më pas 110 prishje të tjera ndërtimesh në vitin 2006 dhe 97 ndërtime të tjera janë prishur në vitin 2007.
Duke mos marrë në konsideratë të gjitha këto prishje ndërtimesh, por duke u bazuar në vetëm dy ankesa të banorëve të Jalës, mësohet se, një klan brenda Bankës Botërore, saktësisht Paneli i Inspektimit, del tani me idenë që kjo gjë e ka bëre Bankën Botërore (jo qeverinë apo zyrën e zbatimit), të lidhur (nëse jo përgjegjëse) me prishjet në Shqipëri. Mësohet nga Burime të Bankës Botërore, se Paneli i Inspektimit heton menaxhmentin e Bankës (konkretisht punonjësit e Bankës Botërore në qendër apo në Tiranë) dhe jo qeveritë apo zyrat e zbatimit të projekteve pranë qeverive.
Nëse Banka Botërore pranon këto, automatikisht bëhet përgjegjëse për të gjitha, shtojnë më tej të njëjta burime të filialit të Bankës Botërore në Shqipëri.
Dyfytyrësia e Partisë Socialiste/Me deklarimet e djeshme të Besnik Bares është regjistruar një tjetër rekord negativ i Edvinit, i cili s’e ka problem as për strehimin e zgjedhësve të tij e as për problemet e banorëve të Jalës, por vetëm për prishjen e planeve të miqve të tij, për ndërtimin e një fshati turistik në perlën e Jonit. Bare doli dje në një prononcim për mediat, duke denoncuar denoncimet e medias e të banorëve, për shkeljen flagrante të ligjit nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe filialit kryeqytetas të Bankës Botërore, të cilët përgjatë vitit të shkuar, kanë lënë pa strehë qindra banorë kryeqytetas, edhe pse ata kanë qenë në proces legalizimi të banesave të tyre. Por për Besnik Baren, s’ka rëndësi as procesi i legalizimit në Tiranë e as përjashtimi i ndërtesave pa leje në bregdetin e Jonit, por thjesht interpretimi dyfytyrësh i gjithçkaje, në varësi të interesave personale të padronit, Edvinit.