E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shkurti, muaji i mbylljes së Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha merr garanci nga homologët e tij

TIRANE - “Portugalia do të ratifikojë së shpejti Protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”. Këtë garanci ka marrë Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha gjatë takimit të zhvilluar me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm portugez, Louis Amado, në Lisbonë. Mësohet se Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentin portugez ka marrë në shqyrtim dhe ka miratuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha, gjatë punimeve të Ministerialit të Romës për Reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka zhvilluar takime të shumta me homologët e tij, ndër ta dhe me Ministrin e Jashtëm të Spanjës, Miguel Moratinos. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit merr Presidencën e BE-së për periudhën janar-qershor 2010, ka shprehur mbështetjen e plotë dhe pa rezerva për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe hapat konkrete që po ndërmerren në këtë drejtim.

Portugalia, në përmbyllje të procedurave të ratifikimit
Ministri i Jashtëm i Portugalisë i ka bërë të ditur ministrit Basha se “Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentin portugez ka marrë në shqyrtim dhe ka miratuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.
Në kuadër të bashkëpunimit reciprok, ministri i Jashtëm portugez, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona si dhe frymën e bashkëpunimit. Duke vlerësuar reformat e guximshme dhe ndryshimet pozitive në Shqipëri, Amado shprehu mbështetjen e plotë të Portugalisë për ecjen përpara në procesin e integrimit evropian të vendit tonë.
Ministri Amado e siguroi kreun e diplomacisë shqiptare se Portugalia do të japë mbështetjen e plotë për procesin e liberalizimit të vizave, në funksion të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen.
Dy ministrat biseduan dhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik si dhe mbi zhvillimet rajonale dhe globale. Portugalia, Greqia, Sllovenia, Luksemburgu, Holanda dhe Islanda,  janë 6 vendet të cilat ende nuk kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Ministri Basha ka deklaruar se “për secilin prej këtyre 6 vendeve, procesi është vënë në rrugë të mbarë”.
Ministri Basha ka konfirmuar se gjatë javë që vjen ai do të zhvillojë një vizitë në Islandë, me ftesë të homologut të tij, Ministrit të Punëve të Jashtme të Islandës. Sa i përket Parlamentit islandez, Basha tha se “me sa jam i informuar, paraprakisht parlamenti islandez ka vënë po me datë 12 në axhendën e tij shqyrtimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO”.
Ministri Basha konfirmoi se “kemi një bindje gjithnjë e më të madhe se shkurti do të jetë dhe muaji i mbylljes së Protokolleve  të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO”, tha Basha.

Edhe Spanja jep mbështetje të plotë për anëtarësimin tonë në NATO
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha, pjesëmarrës në Ministerialin e Romës për Reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka zhvilluar takime të shumta me homologët e tij, ndër ta dhe me Ministrin e Jashtëm të Spanjës, Miguel Moratinos. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit merr Presidencën e BE-së për periudhën janar-qershor 2010, ka shprehur mbështetjen e plotë dhe pa rezerva për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe hapat konkrete që po ndërmerren në këtë drejtim.
Basha dhe homologu i tij spanjoll diskutuan mbi zhvillimet në rajon dhe procesin e integrimit evropian. Ministri Basha e njohu homologun e tij spanjol me reformat e konsoliduara tashmë nga vendi ynë, si dhe me hapat e mëtejshëm që ka hedhur Shqipëria në drejtim të integrimit evropian të vendit. Në këtë kuadër, Ministri Basha i kërkoi ministrit Moratinos, mbështetjen e Spanjës e cila merr Presidencën e BE-së në periudhën janar-qershor 2010.
Ministri Basha e ftoi homologun spanjoll për një vizitë në Tiranë.
Takime të tjera ministri Basha zhvilloi me homologun e Emirateve të Bashkuara Arabe, Princin Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Libisë, Shalgam, atë të Etiopisë, Mesfin, të Gabonit, Toungui, të Eritreas, Saleh, me Ministrat e Punëve të Jashtme të Pakistanit, Jordanisë, Irakut, Argjentinë, Andorës, si dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Kinës, dhe Arabisë Saudite. Marrëdhëniet bilaterale dhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur ishin temat kryesore të këtyre takimeve.
Ndërkohë, gjatë takimit me zëvendës ministrin e Jashtëm të Kanadasë, Leonard Edwards, u diskutua mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kanadasë dhe bashkëpunimin e mëtejshëm dypalësh dhe shumëpalësh.
Gjatë punimeve të Ministerialit u zhvillua një takim mes Ministrave të Jashtme të Shqipërisë, Kroacisë, Spanjës, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, ku u diskutua për organizimin e një aktiviteti rajonal në kuadër të Aleancës së Civilizimeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›