E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina detyron KS-në të shtyjë mbledhjen e sotme

Bruksel (Start)-Qëndrimi i Prishtinës zyrtare lidhur me planin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon porsa i përket shtrirjes së EULEX-t në Kosovë, ka detyruar Këshillin e Sigurimit që të shtyjë seancën e caktuar për sot. KS pritej që të shqyrtonte sot raportin tre mujor të Moon, lidhur me gjendjen në Kosovë, përfshirë edhe procesin e rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare dhe vendosjen e EULEX-it.

Mediat e Prishtinës citojnë burime perëndimore, të cilët kanë pranuar se arsye për këtë shtyrje është refuzimi i Kosovës për ta pranuar planin gjashtë pikesh të OKB-së. Nga ana tjetër, preteksti zyrtarë i shtyrjes së takimit ka qenë “mosqenia gati e raportit të rregullt të Sekretarit të Përgjithshëm”.

Megjithatë këtë shtyrje nuk kanë mundur ta konfirmojnë zyrtarisht nga zyra e zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, sipas burimeve “jozyrtare” në New York, Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon ka vendosur ta shtyjë takimin pas kërkesës së dy vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›