E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina e Jeratit e nis keq

Sezoni pranveror i Superligës së Kosovës në futboll ka nisur me befasi. Kampionit vjeshtor dhe favoritit kryesor për titull të kampionit nuk i ka mjaftuar përkrahja e tifozëve të vet, e as trajneri i ri gjerman, Wolfgang Jerat, për ta mposhtur skuadrën e fundit të elitës, KEK-un.

Takimi mes bardhekaltërve dhe elektricistëve, i zhvilluar të premten në kryeqytet, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 0:0, ndonëse Prishtina cilësohej favorite absolute për ta fituar këtë betejë, posaçërisht për faktin se kjo ndeshje ishte debutuese për trajnerin Jerat, e në anën tjetër ekipi më i rrezikuar për tu larguar nga elita kishte shumë mungesa.

Në fakt, vendasit kanë dominuar gjatë gjithë ndeshjes, duke i krijuar disa raste, por kanë dështuar t’i konkretizojnë ato. Në anën tjetër, KEK-u, kryesisht nëpërmjet kundërsulmeve përpiqej të shënonte, por pa sukses, dhe kështu ndeshja përfundoi pa gola.

Pavarësisht këtij ‘kiksi’, Jerat ishte i qetë pas ndeshjes, ndonëse shumë skuadra iu janë vërsulur ekipit të tij në luftën për vendin e parë.

“Nuk jam i dëshpëruar me paraqitjen e ekipit tim, por jam i dëshpëruar me rezultatin përfundimtar. Dyshoj se një penalti na është mohuar nga gjyqtarët, por kjo mbetet të shihet edhe nga xhirimet filmike. Sidoqoftë, ne duhet t’i përmirësojmë gabimet në ditët në vijmë dhe tu kthehemi fitoreve nga ndeshja e radhës”, ka deklaruar Jerat pas ndeshjes.

Në anën tjetër, Fetah Veliu ishte i lumtur me mënyrën e debutimit të tij si trajner i KEK-ut. “I kemi pasur shtatë mungesa, andaj jam i lumtur që e arritëm qëllimin për të dal të pamposhtur nga kjo ndeshje. Padyshim se ky është një fillim i mbarë për ne, dhe ky barazim sigurisht se do të jetë një motiv shtesë për ekipin tonë për ndeshjet e ardhshme. I përgëzoj lojtarët e mi për këtë paraqitje”, ka theksuar Veliu.

Prishtina mbetet lider me 35 pikë të tubuara, por ka një ndeshje më shumë të zhvilluar sesa Drita, e cila zë vendin e dytë me 32 pikë. Kurse, KEK-u mbetet në fund të tabelës me 16 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›