E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treni i fundit për Ferizajn

Përballja ndërmjet dy skuadrave të rrezikuara, Ferizajt e Flamurtarit, do të përcaktojë fatin e tyre sa i përket mbijetesës në Superligë. Ferizajasit, e vetëdijshëm se e kanë mundësinë e fundit, synim të vetëm kanë fitoren, derisa kuqezinjtë do të jenë të kënaqur edhe me një pikë. Takim interesant do të zhvillohet edhe ndërmjet Vëllaznimit dhe Ballkanit. Nga Valon Konushevci më 25 maj 2011 në ora 12:57

Kampionati i Kosovës në futboll po shkon drejt fundit. Në këtë mesjavë do të zhvillohet xhiroja e 30’të e Superligës, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa ndeshje interesante, si për titull, ashtu edhe për dhe mbijetesë.

Ndeshje e rëndësishme do të zhvillohet në Ferizaj, ku do të përballen dy skuadrat e rrezikuara që të largohen nga elita e futbollit kosovar, Ferizaj dhe Flamurtari.

Ferizaj aktualisht gjendet në pozitën e fundit të tabelës, por ende ka gjasa të mbijetojë kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të kampionatit. Por, shpresat e kësaj skuadra mund të marrin fund në rast se nuk e mposht Flamurtarin.

“Derisa ekzistojnë gjasat teorike për të mbijetuar, ne assesi nuk do të dorëzohemi. Këtë e kemi obligim, mbi të gjitha obligim moral. E respektojmë Flamurtarin, të cilin normalisht se do ta mirëpresim si çdo ekip tjetër. Besoj se do të bëhet një ndeshje shumë e mirë dhe interesante, e cila kam përshtypjen se do të tubojë shumë shikues. Skuadra më e mirë le të fitojë, ndonëse objektivi ynë kryesor është fitorja”, deklaroi për Express trajneri i Ferizajt, Agron Selmani.

Mirëpo, vendasit nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë qëllimin, sepse edhe Flamurtari do të luajë për fitore. As kuqezinjtë nuk guxojnë të gabojnë, sepse mund ta humbasin pozitën e dhjetë të tabelës – që çon në ndeshje barazhi – të cilën ia rrëmbyen Vëllaznimit një javë më parë, pasi e mposhtën me rezultat 1:0.

Kryetrajneri i kuqezinjve, Abdyl Bellopoja, thotë se fitorja ndaj gjakovarëve i ka motivuar djelmoshat e tij, të cilët do të kërkojnë rezultat sa më pozitiv që munden edhe në Ferizaj.

“Na ka motivuar shumë ajo fitore, me të cilën i kemi rritur shpresat. Por, na pret sfida tjetër shumë e vështirë dhe e rëndësishme për të dyja ekipet. Megjithatë, ne në Ferizaj objektiv kryesor kemi të mos humbasim, duke e kërkuar fitoren, por që do të ishim të kënaqur edhe me një barazim, sepse Ferizaj vërtet është në formë”, tha Bellopoja.

Ndeshje e tillë e rëndësishme do të zhvillohet në Gjakovë, ku Vëllaznimi duhet të fitojë patjetër në duel me Ballkanin. Por, edhe ky i fundit nuk guxon të gabojë, sepse mund të futet në rrezik edhe më të madh për të rënë në Ligën e Parë. Udhëtim i vështirë e pret edhe Drenicën, e cila luan në Kastriot ndaj KEK-ut.

Kurse të enjten dy ekipet që po e ndjekin titullin e kampionit, Hysin dhe Prishtinën i presin udhëtime shumë të vështira, pasi luajnë si mysafirë të Lirisë, përkatësisht Trepçës.

Vazhdon bojkoti në Drenicë

Futbollistët e Drenicës vazhdojnë t’i bojkotojnë seancat stërvitore, pasi nuk kanë marrë paga tash e një kohë të gjatë. Kështu, situata në kampin kuq e zi dita ditës po shkon duke u përkeqësuar. Madje, gjasat janë të mëdha që drenicasit të mos udhëtojnë fare të mërkurën drejt Kastriotit për ta zhvilluar ndeshjen e xhiros së 30-të ndaj KEK-ut, nëse nuk i marrin pagat gjatë paradites të së mërkurës.

“Shpresoj që ta zhvillojmë këtë ndeshje, por realisht gjasat janë shumë të vogla të udhëtojmë drejt Kastriotit. Kemi pasur të planifikuar një mbledhje për sot (e martë) vetëm katër-pesë lojtarë erdhën”, deklaroi për Express trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.

Superliga – Xhiroja e 30-të

E mërkurë
Ferizaj – Flamurtari
Vëllaznimi – Ballkani
Besa – Trepça ‘89
KEK-u – Drenica

E enjte
Liria – Hysi
Trepça – Prishtina
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›