E Diel, 1 Nëntor 2026

Man. Utd e do Behramin

Manchester United ia ka vënë syrin futbollistit kosovar me nënshtetësi zvicerane, Valon Behrami, shkruante të dielën e përditshmja britanike, Daily Star.

Edhe pse menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, nuk e ka ndërmend të shpenzojë shumë para në afatin kalimtar të janarit, ai mund të bëjë përjashtim me rastin Behrami.

Daily Star informon se Ferguson është i gatshëm të paguajë 10 milionë funte për njërin prej talentëve më të mëdhenj të West Ham Unitedit.

Behrami, i cili iu bashkua klubit Hammers 18 muaj më parë nga Lazio për 5 milionë funte, mund t’i japë freski dhe energji mesfushës së Fergusonit, i cili nuk ishte gjithaq i kënaqur me këtë repart këtë sezon, vazhdon kjo e përditshme britanike.

Po ashtu, sipas nevojës, 24-vjeçari mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë, pozitë në të cilën është provuar disa herë edhe te West Hami.

Me gjithë interesimin e Djajve të Kuq, Arsenal, Manchester City dhe Juventus ende shpresojnë në mesfushorin kosovar, për të cilin viti 2009 ishte i pafat, pasi që nuk e lanë rehat lëndimet.

Kriza financiare nëpër të cilën po kalon West Hami, mund të bëjë që ky klub ta pranojë ofertën e skocezit Ferguson, që duket e parezistueshme. Javën e kaluar, Behrami kërkonte qartësi nga udhëheqësit e klubit, rreth aspektit financiar.

Këto paqartësi mund të bëjë që Behrami, edhe pse javën e kaluar thoshte se do të qëndrojë në Londër së paku deri në verë, ta ndërrojë mjedisin në janar. Tek e fundit, një mundësi e tillë vjen një herë në jetë...

Edhe Lazio e Roma, pas Behramit
Lazio dhe Roma po mundohen që ta bindin Valon Behramin që të rikthehet në Itali. Sipas ueb faqes tribalfootball.com, dy klubet romake janë në luftë për ta transferuar mesfushorin kosovar, i cili në fakt në të kaluarën ishte pjesë e lazialëve.

Duke e pasur parasysh mënyrën se si është ndarë 24-vjeçari me Lazion dhe duke e ditur hasmërinë që kanë klubet kryeqytetase të Italisë, rikthimi i Behramit në Serie A mund të konsiderohet si shumë i vështirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›