Prishtina e lashtësisë
Derisa po kryenin punimet për sheshin ‘Ibrahim Rugova’, para pak ditësh, punëtorët zbuluan një çezme, e cila supozohet të jetë e kohës së mesjetës, si dhe një bazament të një objekti. Pohimet e para dolën se edhe ky bazament është i një objekti të kohës së mesjetës. Mirëpo, ende nuk janë bërë ekspertizat, në mënyrë që të dihet se cilës periudhë i takojnë.
Agim Gërguri, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, tha se është zbuluar një çezme e vjetër dhe një pjesë e gurëve, por për ato ende nuk kanë dalë rezultatet përfundimtare, në mënyrë që të dihet se çka është.
“Jo ende nuk dihet se cilit shekull i takon. Para se të bëhen ekspertizat ende nuk mund ta dimë se sa janë të vjetra”, u shpreh Gërguri.
Edhe arkeologia Edi Shukriu u shpreh se së pari duhet të analizohen në mënyrë që të dihet vjetërsia e tyre. Prandaj, sipas saj, nuk duhet ngutur me deklarata se ato i takojnë shekullit 15 apo ndonjë shekulli tjetër.
“Nuk është lehtë të përcaktohet, megjithatë këto zbulime tregojnë një nivel të dinjitetshëm kulturor. Sa kemi informata aty ka ekzistuar edhe një xhami tjetër më e vjetër”, tha Shukriu.
Sipas saj, kjo vetëm tregon se sa e lashtë është Prishtina dhe sa pak jemi kujdesur për lashtësinë e Prishtinës.
Shukriu tregoi se ka pasur gjurmë edhe më të hershme në atë pjesë, për të cilat e ka lajmëruar Ministrinë e Kulturës dhe ajo e ka formuar një komision për t’u marrë me këtë çështje, por mjerisht nuk është bërë asgjë.
“Ndërtimet kanë vazhduar, janë mbuluar me çimento dhe kanë humbur gjurmët, siç ka ndodh edhe me ish hotelin Iliria, në vend të të cilit kemi një ndërtesë të çuditshme”, tha Shukriu, e cila shtoi se i vjen mirë që është zbuluar kjo. Kjo, sipas saj, tregon se para se të bëhet çfarëdo veprimi kudo që bëhet, sidomos në qytetin e Prishtinës apo në qytetet e vjetra, duhet të ndërmerren këto hapa, madje duhet edhe me detektorë të shikohen.
“Jo vetëm aty ku u zbuluan këto, por edhe në pjesë të tjera duhet gërmuar pasi që ka objekte të ndryshme. Duhet ta dimë se ka ekzistuar edhe kisha e vjetër katolike te vendi ku është monumenti i Zahir Pajazitit. Edhe për ato ka fotografi”, tha Shukriu.
Ajo shtoi se megjithëse ekziston ligji për trashëgimi kulturore dhe në vend që të respektohet ky ligj, tani po bëhet një lloj ndryshimi i tij, për të cilat, siç u shpreh, nuk jepen kurrfarë informatash dhe veprohet në fshehtësi.
Se a duhet të qëndrojnë në atë vend ku janë zbuluar apo duhet të dërgohen diku tjetër, Shukriu tha se çfarëdo që gjendet duhet të qëndrojë në vendin e vet. “Çdo lëvizje nga aty mund t’i dëmtojë ato. Ato duhet të lëvizen vetëm nëse duhet patjetër. Mund të dërgohen në institut në mënyrë që të mos pengojnë në planet çfarë po bëhen në ato zhvillimet e reja të sheshit”, tha ajo.
Edhe sipas Gërgurit, ato me siguri që do të ekspozohen aty. Sipas tij, do të rregullohet vendi me ndonjë xham apo diçka, në mënyrë që të jetë i disponueshëm për vizitorë.
“Janë disa opsione, por ende nuk është vendosur diçka përfundimtare. Së pari po presim të marrim rezultatin e ekspertëve dhe në bazë të atyre rezultateve atëherë do të vendoset për opsionet”, tha Gërguri.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si ndodhi që këto të zbulohen rastësisht dhe a ka harta që tregojnë për vendndodhjen e mundshme të objekteve arkeologjike, Gërguri tha se ekzistojnë hartat vetëm për ato vende ku janë zbuluar objekte të ndryshme, ndërsa për vende të pazbuluara nuk ka ndonjë hartë që tregon për vendndodhjen e mundshme të ndonjë objekti të vjetër nën tokë.
“Edhe në Tiranë nuk e kanë ditur se do t’i zbulojnë ato themelet e kalasë së Tiranës. Askush nuk e ka ditur, por kur kanë filluar ta punojnë rrugën, ato janë zbuluar. Është gjë normale që për shumë gjëra të tilla nuk dihet”, u shpreh Gërguri.