E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia “rishikohet” në qershor

Edhe pse për muajin qershor çyshtë paraparë që akademitë e shkencave dhe arteve të Shqipërisë dhe të Maqedonisë të formojnë një këshill të përbashkët, i cili do të ofronte një interpretim ndryshe të historisë së marrëdhënieve mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar, historianët maqedonas nuk duken fort të gatshëm për një gjë të tillë.

Sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (MANU), Vlado Kambovski, shkenca duhet të udhëheqë rrugën për dialog, e jo të konfliktit.

"Një akademi e Ballkanit duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura të historisë dhe të shkencës", thekson ai.

Anëtarët e të dy akademive pritet të takohen në Ohër, në muajin qershor, dhe t’i adresojnë çështje të ndryshme që ndërlidhen me maqedonas dhe shqiptarë.

"Maqedonasit dhe shqiptarët kanë një histori të përbashkët. Të njëjtit sundimtarë qeverisën dhe përdorën të njëjtat masa ndaj tyre. Cilado që të jetë e vërteta rreth marrëdhënieve maqedonase-shqiptare, ajo duhet parë nga të dy anët", tha për portalin ‘SETimes’, profesori i Universitetit të Tetovës, Rizvan Sulejmani.

Një prej çështjeve kryesore që do të hapet gjatë takimit sigurisht që është ‘Enciklopedia Maqedonase’. Shqiptarët e kundërshtojnë këtë botim, meqë aty thuhet se në Ballkan janë të ardhur rishtazi, dhe se nuk janë banorë autokton në Maqedoni. ‘Enciklopedia’ shqiptarët i përshkruan si "njerëz të maleve", përderisa pohon se kjo popullsi erdhi në Maqedoni bashkë me perandorinë otomane, diku nga shekulli i 16’të.

Si pasojë, një valë kritikash e ndërprenë botimin e librit në vitin 2009.

Ndryshe ‘Enciklopedia’ është projekt i Qendrës Leksikografike të MANU. Më shumë se 250 anëtarë të akademisë, profesorë universitarë dhe studiues maqedonas e përpiluan këtë enciklopedi dy-vëllimëshe gjatë një periudhe prej shtatë viteve. Ajo mbulon 9,000 persona, koncepte dhe ngjarje, nga të gjitha periodat historike që ndodhën brenda kufijve gjeografikë të Maqedonisë së sotme – duke filluar që nga periudha parahistorike e deri te ajo bashkëkohore.

Nga ana e saj, Akademia e Shkencave dhe arteve e Shqipërisë (ASHASH)

pohoi se, pikëpamjet e shprehura në “Enciklopedinë Maqedonase” janë nacionaliste, andaj u bëri thirrje kolegëve maqedonas për një rishqyrtim të saj, “për hir të së vërtetës historike dhe të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore".

Historianët maqedonas mendojnë ndryshe

"Të gjitha deklarimet në enciklopedi janë bazuar në prova dhe dokumente të verifikuara. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë faktet, kjo s’do do të thotë se faktet duhen ndryshuar. Le të japin prova ata se janë autoktonë në këto treva", deklaroi për ‘SETimes’ historiani maqedonas, Gjorgi Malkovski, që njëherësh është një nga autorët e ‘Enciklopedisë’.

"Përpjekja për ndryshimin e Enciklopedisë Maqedonase në interes të shqiptarëve do ta degradojë shkencën historike të Maqedonisë, e cila ka shënuar një përparim të hatashëm", shtoi ai.

"Akademia Maqedonase (MANU) po formon një ekip të ri, me qëllim të prodhimit të një enciklopedie të re, e cila do të përmbajë formulime të pranueshme për shqiptarët. Por, nga kjo përpjekje s’do të dalë asgjë. Fundi i fundit, pse s’po ndërhynë MANU në botimin dhe përmbajtjen e Enciklopedisë Shqiptare? Në të maqedonasit lëre që s’njihen si popull, por janë asimiluar nën frazën 'sllavomaqedonas'", pohoi për “SETimes’ Blaze Ristovski, botues i “enciklopedisë’ dhe historiani veteran i akademisë maqedonase.

Del se, përkundër përpjekjeve për zbutjen e marrëdhënieve, historianët maqedonas pajtohen se historia nuk është subjekt i marrëveshjeve të vullnetit të mirë.

"Ne tashmë kemi parë përpjekje të ngjashme rajonale për 'zgjidhjen' e ligjshme të të çarave në shkrimet kombëtare e historike, kryesisht nga Greqia e Bullgaria, përfshirë këtu edhe diktatin ose marrëveshjet politike për Maqedoninë", pohoi për ‘SETimes’ historiania tjetër maqedonase, Violeta Ackovska.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›