Prishtina e shkatërroi Besën
Prishtina e ka shkatërruar Besën, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 29-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra bardh e kaltër ka qenë bindshëm më e mirë se pejanët, ndaj së cilëve fitoi 5-1.
Prishtinasit kaluan në epërsi në minutën e 17-të me anë të Haxhajt, i cili shënoi me kokë.
Driton Krasniqi e shtoi epërsinë e vendësve vetëm dy minuta më vonë, kurse Mentor Mazrekaj u përkujdes për golin e tretë të ekipit kryeqytetas (30’).
Astrit Fazliu shënoi për 4:0 në minutën e 50-të, ndërsa Faton Zejnullahu, i cili pati paraqitje të shkëlqyeshme, u përkujdes për golin e pestë të Prishtinës (56’).
Ajo çka mundi ta bënte ekipi bardh e kuq ishte ta shënonte golin e nderit me anë të veteranit Haxhi Zeka, në fund të ndeshjes. Me këtë fitore, Prishtina e konfirmoi pozitën e parë në tabelë.