E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina ende optimiste për njohjen nga Rusia

Prishtinë - Edhe pse e vështirë për tu besuar dhe pavarësisht deklaratave nga kremlini zyrtar, Prishtina vazhdon të jetë optimiste se edhe Rusia do ta njohë shtetin e Kosovës. Edhe presidenti Sejdiu para nisjes për në SHBA, ku pritet të takojë sekretaren e Shtetit, Hillary Cllinton, ka thënë se Rusia dhe vendet e tjera që s’ e kanë njohur Kosovën, do të vijë një ditë që shumë shpejtë do ta njohin.. Sipas Sejdiut, jo vetëm Rusia, por dhe shumë vende të tjera do ta kuptojnë se e kishin gabim që vonuan njohjen e shtetit të Kosovës.

Por, reagimi nga Moska ka qenë i ashpër. Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia nuk ka ndryshuar qëndrimin sa i përket çështjes së Kosovës. “Sa i përket problemit të Kosovës, ne ende qëndrojmë pranë Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, nuk jemi tërhequr nga pozitat e përkrahjes së Serbisë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, ka thënë Lavrov, pas takimit me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në Moskë.

Kryediplomati rus e ka kundërshtuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se edhe Rusia do të njohë Kosovën e pavarur. Sipas Lavrovit, Thaçi është konfuz me dëshirat dhe realitetin ku jeton. “Thaçi nuk ka kompetencë për të bërë një deklaratë të tillë për Federatën Ruse”, ka thënë ai. Në një intervistë për gazetën beogradase “Politika”, Thaçi ka parashikuar se Rusia do të përkrahë proceset pozitive në Kosovë dhe do ta njohë pavarësinë e saj në të ardhmen e afërt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›