E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina ‘bllokon’ në kufi Bogdanoviçin

Mitrovicë - Ashtu siç parashikohej, Ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, nuk ka arritur të hyjë dje në Kosovë. Prishtina zyrtare nuk ka dhënë pëlqimin për hyrjen e tij në territorin kosovar. Ajo nuk i ka ofruar siguri, me arsyetimin se ai duhet t’i bëjë kërkesë zyrtare institucioneve të Republikës së Kosovës, bashkë me axhendën, e jo të vazhdojë me avazin e vjetër, që kërkesat e tilla t’i bëjë në UNMIK sikurse më pare. Zv. Kryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se “Ne nuk i kemi dhënë pëlqimin dhe kemi kërkuar t’u drejtohet institucioneve me kërkesë dhe agjendë, përndryshe do të kthehet prapa, apo nëse insiston të hyjë pa leje dhe me persona të armatosur do të arrestohet”.

Nga ana tjetër, gjatë një prononcimi për media, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga Bogdanoviç.

Kurse zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka deklaruar se policia ka marrë urdhër nga Ministria e Punëve të Brendshme që t’i ndalohet hyrja në Kosovë Bogdanoviçit nëse vjen në cilësi të delegacionit me persona të armatosur. Sipas tij, Bogdanoviç ka mundur ta vizitojë Kosovën vetëm në cilësi të qytetarit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›