Sarandë, festohet pavarësia greke
• Fshati Livadhja, një nga skajet më jugore të vendit tonë është tejmbushur paraditen e djeshme nga qindra flamuj grekë, të mbajtur në duar nga nxënësit e shkollave.Qëllimi i këtij manifestimi, ku flamujt shqiptarë humbisnin mes ngjyrave bardhekaltër ishte festimi i 25 marsit, Dita e Pavarësisë së Greqisë. Shteti grek është përfaqësuar në këto festime nga konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Hristos Mandellos. Ndodheshin gjithashtu edhe deputetë nga të dy shtetet, autoritete të qeverisjeve vendore nga të dy anët e kufirit si dhe Harallamb Karathano, ish-drejtues i ENVI-t dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Vorio Epirit. Emri i këtij të fundit është lakuar dikur, si organizator dhe pjesëmarrës aktiv i trazirave të ndodhura në Himarë, në vitin 2003. Karathano nuk ka qenë aktiv në festë, por qëndronte në turmën e spektatorëve në festimet e organizuara nga dega e Sarandës e organizatës “Omonia” dhe Komuna e Livadhjasë. Festimet për Ditën e Pavarësisë së Greqisë kanë nisur në sfondin muzikor të ekzekutimit të himneve kombëtarë nga banda frymore e Sarandës, si dhe nën valëvitjen e flamujve grekë, që mbanin në duar manifestues të shumtë, ndërkohë që nuk ka munguar edhe flamuri shqiptar. Në festime kanë qenë të pranishëm dhe të ardhur nga krahina e Vurgut dhe e Dropullit, si dhe nga qyteti i Sarandës e Delvinës. Në sheshin e Livadhjasë kanë parakaluar kuadratet e shkollave të mesme e 9-vjeçare të Komunës së Livadhjasë, ato të klasave greqisht të Sarandës dhe shkolla e Derviçianit. Ceremoninë e festimeve kushtuar 25 marsit e ka çelur Irodhi Dalani, kryetar i Komunës së Livadhjasë. Ai ka përshëndetur dhe falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe është ndalur në rëndësinë historike të aktit që i dha pavarësi shtetit–amë në 25 marsin e vitit 1821. Kristaq Kali, kryetar i degës së Omonia-s për Sarandën, në fjalën e vet ka bashkërenditur me luftëtarët grekë simbol të Pavarësisë edhe bashkëluftëtarët shqiptarë, të përfaqësuar nga Marko Boçari. Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Hristos Mandellos ishte përfaqësues zyrtar i shtetit grek në festimet e Livadhjasë. “Mesazhi që vjen nga 25 marsi dhe duhet ta mbani në zemrat tuaja është fjala “mundemi”. Mundemi gjithmonë me besim, me luftë dhe mundemi të realizojmë atë që synojmë kurdoherë”, është shprehur në fjalën e tij Mandellos. Megjithë motin e rënduar nga reshjet e dendura të shiut, festa ka vazhduar me një koncert të përbashkët të grupeve artistike të shkollave të minoritetit dhe grupeve polifonike.Të gjithë në festën e GreqisëVasil Bollano, kryetari i ri i Omonia-s, ka qenë figura qendrore e festës së djeshme, por nuk kanë munguar edhe Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ, deputeti i zonës Stefan Çipa, si dhe deputeti i parlamentit grek, Mihalis Pandullas. Të pranishëm në festimet e djeshme në Livadhja ishin dhe nënprefektja Elsa Gjini, prefekti i Thesprotisë Vasilis Jojakas, kryetari i Bashkisë së Filatit, Minas Dumazis. Po kështu kanë marrë pjesë kryetari i degës së PD të Sarandës, Ylli Piro, kryetari i Komunës së Dhivrit, Sokrat Kalcuni, kryetari i Komunës së Xarrës, Dhimo Kote etj.