Samiti i NATO-s, 30 zyrtarë në delegacionin shqiptar
Aeroporti i Rinasit ka pasur sot, ndoshta për herë të parë, delegacionin më të lartë zyrtar shqiptar që largohet njëherazi jashtë vendit. Një grup prej afërsisht 30 zyrtarësh, të kryesuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, udhëtuan sot drejt Strasburgut për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, kësaj here si anëtarë të saj. Për herë të parë, Presidenti i vendit si dhe Kryeministri do të marrin pjesë në një mbledhje me rëndësi të lartë diplomatike. Gazeta mëson se në delegacionin prej 30 zyrtarësh që kryesohet nga Topi, do të jetë Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj, ministri i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, përkatësisht Lulzim Basha dhe Gazmend Oketa, ambasadori shqiptar në NATO, Artur Kuko, si dhe një numër zyrtarësh të tjerë në nivel më të ulët, si disa këshilltarë të Kryeministrit dhe Presidentit. Me largimin e zyrtarëve kryesorë të vendit jashtë shtetit, zëvëndëskryesministri dhe nënkryetari i Kuvendit janë dy atoritetet më të larta që kanë përgjegjësitë kryesore.
Njëkohësisht dita e djeshme ka qenë një mundësi për t’u përgatitur më mirë. Mësohet se Kryeministri ka shpenzuar pasditen e djeshme për të përgatitur fjalimin që do të lexojë përpara udhëheqësve më të lartë të botës. Ky fjalim, i cili mund të konsiderohet si historik për shkak se është fjala e parë zyrtare e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, ka marrë vëmendjen e duhur nga ana e Kryeministrit të vendit. Fjalimi do të mbahet në gjuhën angleze.
Në tryezën e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, do të ulet Presidenti dhe Kryeministri, në një format të ngjashëm si në samitin e Bukureshtit. Mësohet se në fillim të tryezës së rrumbullakët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, do të njoftojë pjesëmarrësit se Aleanca ka dy vende të reja, Shqipërinë dhe Kroacinë. Më pas, ai do të ftojë liderët përkatës të Shqipërisë dhe Kroacisë të mbajnë fjalën e rastit. Praktikisht dhe ligjërisht, Shqipëria është anëtare e NATO-s. Të dy zyrtarët do të kenë takime me homologët e tyre, ku në qendër të tyre do të jenë urimet për anëtarësimin. Një mori takimesh pritet të mbajë edhe ministri i Jashtëm Lulzim Basha me homologët e tij. Në ditën e dytë të samitit, që do të mbahet në Kehl, do të shtrohet një drekë e madhe zyrtare për 60-vjetorin e krijimit të Aleancës.
Samiti i NATO-s në Strasburg po ndiqet nga afër nga rreth 4 mijë gazetarë, të cilët do të ndjekin direkt zhvillimin e tij. Krahas takimeve me liderët e botës, Kryeministri Berisha ka programuar një konferencë për shtyp ditën e nesërme në orën 3 pasdite. Kryeministri do të flasë për të gjitha mediat ndërkombëtare të interesuara.
Starova: Të shpallet “Dita e NATO-s”
Deputeti Arian Starova deklaroi dje në Kuvend se hyrja e Shqipërisë në NATO është një ngjarje historike. Ai i kërkoi Kuvendit që një nga ditët e para të prillit të shpallet si ditë zyrtare dhe të quhet “Dita e NATO-s”. “Një nga ditët e para të muajit prill të shpallet si “Dita e NATO-s”. Gjeopolitikisht Shqipëria është futur në NATO që më 22 mars 1992, kur forcat demokratike fituan zgjedhjet në vend. Që në atë kohë, Shqipëria ka punuar për të plotësuar standardet dhe për të merituar hyrjen në Aleancë”, - deklaroi Starova. Sipas kreut të liberalëve demokratë, Shqipëria ka bërë hapa para gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance. Sipas tij, të nënvlerësosh meritat e anëtarësimit, siç bëjnë disa analistë, është njësoj si të përçmosh punën e gjithë atyre shqiptarëve dhe të huajve që punuan dhe dhanë mbështetjen e tyre në këtë proces. “Shqipëria e ka merituar anëtarësimin, si një vend që në shekuj ka qenë paqësor”, - deklaroi Starova.
Bumçi: Hyrja në NATO, investimi më i madh për sigurinë
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi dje në Kuvend se hyrja e vendit në NATO është investimi më i madh për sigurinë. Sipas tij, hyrja në NATO është siguria më e madhe për të ardhmen e shqiptarëve. "Sot, ne lëmë mbrapa një histori dhe hapim një histori të re. Investimi për sigurinë, duke hyrë në NATO, është siguria më e madhe për të nesërmen e shqiptarëve dhe të ardhmen e vendit", - tha Bumçi. Ai u shpreh kritik ndaj qëndrimeve nihiliste të opozitës ndaj kësaj ngjarjeje. “NATO-ja është përgjigjja më e mirë për nihilizmin që mbizotëron tek opozita, e cila mohon çdo vlerë të krijuar”, - tha Bumçi, duke shtuar: “NATO-ja nuk është një dhuratë. Ne jemi në NATO sot se ndryshe nga vitet e mëparshme e kemi merituar këtë proces”. Bumçi tha më tej se vlerat e NATO-s do të ndryshojnë edhe Shqipërinë. “Shqipëria po bëhet pjesë e organizatës që ka shkruar historinë e Evropës. Në themelet e saj është Evropa e re. Kjo organizatë, që ndryshoi Evropën Perëndimore, po ndryshon sot dhe jetën e popujve të Evropës Lindore”, - deklaroi Bumçi në Kuvend.
Mediu: Hyrja në NATO ka vetëm një përgjigje: Reformat
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje se hyrja e vendit në NATO nuk ishte e rastësishme, por e kundërta. Sipas tij, skepticizmi u largua nga puna e kësaj mazhorance. Ai tha më tej se përgjigjja e vetme që Shqipëria mori anëtarësimin, është realizimi i reformave. “Kur ne deklaruam në fillim të mandatit tonë se do marrim ftesën për anëtarësimin në NATO, shumëkush na pa me skepticizëm, por ne mundëm që brenda një mandati të bëheshim anëtarë me të drejta të plota dhe pa dyshim shtrohet pyetja Pse? Ka vetëm një përgjigje: Reformat e kësaj qeverie, lufta pa kompromis për vendosjen e shtetit ligjor krijoi bindjen tek aleati ynë, SHBA, dhe vendet e tjera, në seriozitetin, sukseset dhe rrugën tonë të pakthyeshme demokratike”, - deklaroi Mediu. Në fjalën e tij, kreu i republikanëve tha se opozita ka rolin e saj, por sipas tij, ajo nuk duhet ta zhvlerësojë këtë moment. “Do të ishte naive dhe pa kuptim po të thuhej se anëtarësimi në NATO erdhi se opozita propozoi një rezolutë. Kjo nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të hidhte poshtë atë kontribut që ata kanë dhënë në vite. Opozita, më tepër se të zhvlerësojë këtë proces, duhet të analizojë me përgjegjësi, së bashku me mazhorancën, këtë situatë historike, në mënyrë që të ndërtojmë një vizion të përbashkët për detyrimet tona në këtë aleancë për interesin shqiptar”, - tha më tej Mediu.
Rama: NATO, të ndihemi krenarë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ditë për të cilën shqiptarët duhet të ndihen krenarë. Sipas tij, kjo ditë ishte një ngjarje shekullore. “Pas shekujsh e dekadash trazirash e konvulsionesh historike, më në fund shqiptarët sot realizojnë ëndrrën e atit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili thoshte se në themel të shtetit të ri shqiptar në 1912 do të ishin “nomet e Perëndimit”. Kjo është dita e shënuar kur Shqipëria dhe çdo shqiptar ndihet krenar që i bashkohet kësaj aleance, në radhë të parë vlerash, vlerave të pluralizmit, lirisë, demokracisë dhe tolerancës”, - tha Rama. Kreu i PS-së tha më tej se kjo ditë duhet të shërbejë për të gjithë shqiptarët që ata të përqafojnë vlerat e lirisë. “Është dita kur ne duhet ta kuptojmë se këto vlera që kemi përqafuar, liria dhe dinjiteti i njeriut, janë tepër të çmuara dhe janë në bazën e kësaj aleance, të cilës i përkasim sot edhe zyrtarisht. Për t’i siguruar ato na është dashur të paguajmë një çmim shpesh shumë të lartë”, - deklaroi Rama.
PD-ja: Rama konstruktiv për NATO-n
Partia Demokratike mirëpriti dje deklaratën e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili e vlerësoi anëtarësimin e vendit në NATO si një ngjarje historike. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, tha se Rama më në fund gjeti forcën për të përshëndetur këtë ditë. “Sot, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjeti më në fund forcën dhe kurajon për të dalë nga sindromi i mohimit dhe për të përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si akti më madhor në historinë e këtij kombi pas pavarësisë së tij”, - tha Mëhilli. Ajo deklaroi se PD-ja përshëndet qëndrimin konstruktiv që Rama ndërmori. “Partia Demokratike përshëndet këtë qëndrim si një qëndrim konstruktiv në të cilin ekziston edhe vlerësimi i kontributit të qeverive socialiste në këtë proces, të cilin z. Rama gjeri më sot me një fanatizëm të papranueshëm është përpjekur ta mohojë”, - deklaroi zëdhënësja e PD-së.