E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina, kampion i Kosovës

FC Prishtina është stolisur me titullin e kampionit të Kosovës, pasi në xhiron e fundit e mposhti me lehtësi Vëllaznimin, 4:2. Me këtë trofe, bardhekaltrit me rreth 10 mijë tifozë nisën ta kremtojnë edhe 90 vjetorin e themelimit të klubit të tyre. Ata thanë se po festojnë me meritë. Por, këtu garat nuk marrin fund. Kjo pasi Lepenci do ta kërkoj mbijetesën në Superligë përballë Hajvalisë.

(E plotësuar) FC Prishtina është kampion i ri i Kosovës në futboll. Pas tri vitesh pritje, bardhekaltrit të dielën janë shpallur më të mirët në Kosovë, edhe atë pikërisht në vitin kur klubi më i suksesshëm kosovar po e kremton 90 vjetorin e themelimit të tij.

Këtë sukses kryeqytetasit e arritën falë fitores me rezultat 4:2 ndaj Vëllaznimit, në kuadër të xhiros së fundit të kampionatit. Kjo bëri që rreth 10 mijë shikues të hidheshin në festë, kur Kupën e kampionit ekipit bardh e kaltër ia dorëzoi kryetari i Federatës së Futbollit, njëherësh ish legjenda e kësaj skuadre, Fadil Vokrri.

“Jemi shumë të lumtur. Kjo është meritë e të gjithëve, posaçërisht futbollistëve të cilët janë angazhuar jashtëzakonisht shumë për ta fituar këtë trofe, andaj le ta shijojnë atë”, u shpreh kryetrajneri i Prishtinës, Jusuf Tortoshi.

Tepër i lumtur ishte edhe njëri prej lojtarëve që më së shumti e djersiti fanellën bardh e kaltër gjatë gjithë kampionatit, Besnik Krasniqi. “Kamë emocione të papërshkrueshme. Është meritë e të gjithëve, që luftuam tepër shumë gjatë gjithë kampionatit për ta fituar këtë epitet. Po festojmë me plot meritë”, u shpreh Krasniqi.

Me këtë rast, FFK-ja e ka shpërblyer Prishtinën me 20 mijë euro. Kreut të kësaj skuadre, Remzi Ejupit iu është dhuruar edhe një Kupë simbolike nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Ejupi mohoi që klubi i tij ta ketë fituar këtë titull nëpërmjet kurdisjeve të rezultateve, siç u akuzua ka rivali i deridjeshëm i saj për titull, Trepça ’89.

“Nuk dua ta komentoi atë. Garantoj se ekipi ynë me plot meritë po feston, dhe titullin ia dedikojmë gjithë kryeqytetit, posaçërisht ‘Plisave’. Shpresoj që në vitin tjetër ta kremtojmë kualifikimin tonë në gara evropiane, kurse institucionet tona shtetërore ta ndihmojnë rregullimin e infrastrukturës ligjore e sportive në vend”, u shpreh Ejupi.

Duhet theksuar se golat për ekipin e Jusuf Tortoshit i shënuan Ahmeti, Mazrekaj, Fazliu dhe Latifi, kurse për gjakovarët shënuan Skeraj dhe Karahoda. Me këtë fitore, kryeqytetasit nisën kremtimin e 90 vjetorit të themelimit të klubit të tyre.

Këtë trofe bardhekaltrit e kanë fituar edhe në edicionet 2007/2008, 2008/2009, 2003/2004, 2000/2001 dhe 1999/2000. Njëherësh, ky klub me histori 90 vjeçare është më i suksesshmi në historinë e futbollit kosovar.

Liria – Trepça 89’ 3:2

Liria ka shënuar fitore kundër Trepçës 89’ me rezultat 3:2, duke i shpëtuar kështu barazhit. Golat për skuadrën vendase i shënuan Tafili, Rama dhe Meha, ndërsa për mysafirët shënoi dy herë golashënuesi më i mirë në këta kampionat, Berat Hyseni. Pas kësaj fitoreje Lira ka mbetur në pozitën e tetë më 44 pikë, ndërsa Trepça 89’ e dyta me 61 pikë.

Trepça – Drita 4:3

Trepça ka shënuar fitore të vështirë por shumë të rëndësishme kundër Dritës me rezultat 4:3. Golat për mitrovicasit i shënuan Seferi, Mustafa, Rama dhe Babaj, ndërsa për Dritën shënuan, Jakupi, Osmani dhe Mulliqi. Pas kësaj fitoreje, ‘Xehetarët’ kanë mbetur në pozitën e nëntë me 43 pikë, derisa Drita përfundoi e gjashta me 47 pikë.

Lepenci – Hysi 4:0

Lepenci ka shënuar fitore të lartë prej 4:0 përballë Hysit, por të pa mjaftueshme për t’i ikur pozitës së dhjetë që dërgon në ndeshje barazhi, ku do të luftoj për ta fituar statusin e anëtarit të Superligës me Hajvalinë, e cila është radhitë e treta në Ligën e Parë. Golat për skuadrën vendase i shënuan, dy herë Enis Kuka dhe nga një herë Rinor Zeneli dhe Pajtim Berisha. Lepenci kampionatin e përfundojë me 42 pikë, ndërsa Hysi me 47 pikë në pozitën e pestë.

KEK-u – Besa 1:5

Besa është skuadra e vetme që ka shënuar fitore si skuadër mysafirë në xhiron e fundit dhe atë përballë KEK-ut, me rezultat të lartë 1:5. Pas kësaj fitoreje skuadra pejane është ngritur në pozitën e katërt me 48 pikë, ndërsa KEK-u ka mbetur në atë të parafundit me 28 pikë.

Drenica – Gjilani 4-1

Drenica e ka përmbyllur në mënyrën më të mirë kampionatin, pasi në shtëpi e mposhti skuadrën e fundit në tabelë Gjilanin me rezultat 4-1. Për skuadrën e Drenicës shënuan Sahiti, Maxhuni, dhe dy herë Zenili, ndërsa për Gjilani golin e vetëm e shënoi Ismet Ramushi. Drenica kampionatin e përfundoi në vendin e shtatë me 46 pikë, ndërsa Gjilani në atë të fundit më 23 pikë.

Tabela Xhi. Gd. Pi.

1. Prishtina 33 32 65

2. Trepça '89 33 25 61

3. Vëllaznimi 33 5 55

4. Besa 33 6 48

5. Hysi 33 10 47

6. Drita 33 2 47

7. Drenica 33 10 46

8. Liria 33 -8 44

9. Trepça 33 -3 43

10. Lepenci 33 -7 42

11. KEK-u 33 -28 28

12. Gjilani 33 -40 23

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›